×
  • Opinione
  • Opinione

    Erdoganizmi në Shqipëri

    FrontOnline
    13 Gusht 2019

    Rilindjes i takonte t’ia bënte qokën Erdoganit. Dhe kjo, jo vetëm sepse vëllai Taip është i preferuari i katolikut Edi.

    Të dy kanë këmbyer takime private, selfie reciproke, kanë bredhur së bashku mbi urën e sapo ngritur mbi Bosfor, kanë shkëmbyer “deal”-e ekonomike dhe e kanë mbështetur njëri-tjetrin kur janë përballur me zgjedhje në vendet e tyre.

    Në këtë kuptim, memoriali i lartësuar tek parku i liqenit, nuk është një mëkat më shumë në krahasim me eliminimin e ish-kreut të komunitetit mysliman, me ngritjen e xhamisë me financime nga Ankaraja, me deklaratat e shefit të qeverisë se vëllazëria Gylen është një organizatë terroriste.

    Në të mirë apo në të keq, marrëdhënia ekstra institucionale mes raisit neo-otoman dhe liderit global të Tiranës, është një gjë, që ndonëse me vështirësi, e kanë kapërdirë në Tiranë. Për më tepër që përkujtimi dhe himnizimi i viktimave të 15 korrikut i shkon për shtat shumicës në pushtet. Ajo është simbolika më e mirë që i duhet asaj pas 30 qershorit.

    Mesazhet përputhen: njerëzit mund të japin dhe jetën për të mbrojtur një autokrat, cilado qoftë natyra e regjimit, sado shtypës apo gjakatar qoftë ai, përmbysja me dhunë konsiderohet një sakrilegj. Pikërisht për këtë, turma të mëdha parakaluan në 15 korrik rrugëve të Tiranës, me flamujt e kuq me gjysmëhënë mbi to. Pikërisht për këtë, me dhjetëra djem të rij mbanin në duar pankartat ku shkruhej: “Fitorja e demokracisë së 15 korrikut, Tiranë, Shqipëri”.

    Pra, në këtë manifestim me leje, i cili u asistua nga zyrtarë të rilindjes, ku për ngritjen e memorialit dhe emërimin e rrugës ka dhënë leje Erion Veliaj, konsiderohet normale që batërdia që ndodhi pas korrikut 2016, burgosja e qindra gazetarëve, intelektualëve, profesorëve, opozitarëve, hendeku i madh i vendosur në shoqërinë turke, përndjekja e kundërshtarëve, të barabitet me vendosjen e demokracisë.

    Natyrisht, askush që i njeh rilindasit, nuk çuditet për mbrojtjen prej tyre të këtyre vlerave. Natyrisht për askënd nuk përbën habi, se ata nuk janë në gjendje të belbëzojnë as të vërteta që i thonë edhe vetë turqit Orhan Pamuk, Elif Shafak, apo Ahmet Altan.

    Zgjedhja e tyre është sa ideologjike po aq dhe pragmatiste; ata duan Erdoganin si person dhe venerojnë modelin e tij. Dhe deri në këtë pikë ata janë koherentë me rrugën që ndjekin.

    Por, problemi i tyre qëndron diku tjetër, sepse raisi turk nuk e ka për zor ta mbrojë çmendurinë e tij. Ai është i gatshëm të zihet dhe më ShBA-në për t’i dorëzuar imamin Gylen; ai e justifikon faqe botës burgosjen e gazetarëve si terroristë; ai nuk druhet ta afishojë përballë gjithë globit sistemin autokratik që mban në këmbë.

    Ndërsa, ithtarët e tij në Tiranië janë thjeshtë bij skuthë të erdoganizmit. Ata duan edhe të shtiren si kampionë të vlerave demokratike edhe të përfitojnë nga e kundërta e tyre.

    Pikërisht këtë tregoi ceremonia e ngritjes klandestine të memorialit të viktimave të “demokracisë” të 15 korrikut. Rilindasit edhe i hapën dritën jeshile ngritjes së tij edhe u fshehën si minj për të mos u fotografuar aty.

    Erion Veliaj që nuk lë çdo hap që hedh pa e nxjerrë në TV, e maskoi këtë ceremoni të zhvilluar në mes të zhegut. As në kronikat që shpërndau bashkia, as në faqen e saj zyrtare nuk gjendet germë që të dëshmojë se kjo ngjarje ka ndodhur në kryeqytet. Do të duhej një investigim i “Zërit të Amerikës” që ne ta kuptonim këtë falcitet. Madje, të dëgjonim edhe përgjigjen zhvejkjane: “Bashkia nuk di gjë, pyesni Ministrinë e Jashtme”.

    Pra, kjo histori, mënyra e turpshme si u bë dhe farsa edhe më e fëlliqur se si përpoq të varrosej në heshtje, nuk përbën një mëkat në vetvete. Nga njëra anë, parku i liqenit në Tiranë mban mbi shpinë edhe emra më të diskutueshëm, si p.sh. ai i ish-presidentit egjiptian Mubarak. Nga ana tjetër, lidhja okulte Rama-Erdogan ka shumë anë më të errëta sesa kaq.

    Por, kjo ngjarje, sa e shëmtuar dhe komike, na shërben për të kuptuar edhe njëherë më shumë dyfytyrësinë e këtij pushteti; e një grupi njerëzish që edhe kur është i bindur se një gjë nuk duhet bërë, pasi ajo bie ndesh me vlerat që propagandon dhe me konsensusin e përgjithshëm, sërish nuk di të ndalet. Atë që e di që nuk pranohet, nuk e ndërpret, thjeshtë përpiqet ta realizojë pas shpine. Ashtu si memoriali i kërkuar nga Erdogani që u inaugurua në klandestinitet.

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në një treg të Krishtlindjeve në qytetin e Magdeburgut të Gjermanisë u rrit në...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje diasporës që sa më shumë të aplikojnë për t’u regjistruar për votuar në...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Leo gjatë orëve të vona të natës është sqaruar me Gjestin dhe Rovenën sa i përket nominimeve. Por Gjesti i tha se...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se gjendet në një vizitë pesë ditore në Jordani në cilësinë e eskpertit...
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar për sulmin që u bë ndaj ambasadës së Shqipërisë në Kiev të Ukrainës. Zëdhënësi i...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kolonat e krijuara në pikat kufitare në Merdare e te Dheu i Bardhë mëngjesin e sotëm kanë filluar të lehtësohen, sipas përditësimit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.