
Dy vite pasi që kishte qenë temë kyçe për një kohë, Ura e Ibrit, më saktësisht, hapja e saj, sërish është vendosur në qendër të vëmendjes në skenën politike e mediale të Kosovës, por edhe më tej se kaq. Qëndrime që kërkojnë hapje, të tjera që kërkojnë konsultime, e të atilla që kundërshtojnë hapjen e saj, janë ato që bëjnë pjesë në debatin e këtyre ditëve. Krejt kjo ndodhi pas lajmeve për tërheqjen graduale të KFOR’it nga kjo urë, shkruan Gazeta Express.
Nga ana e Kosovës, qeveria është shprehur pro hapjes së saj. Vetë kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, tha se ura e Ibrit duhet të hapet, pasi që, siç tha ai, ‘’është absurde’’, që e njëjta të qëndrojë e mbyllur teksa urat e reja janë ndërtuar.
‘’Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm në këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as të tensioneve tregojnë që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e ekonominë”, ka deklaruar Kurti në konferencën e sotme.
Pro kësaj ideje, u shfaq edhe Bashkimi Evropian. Këta të fundit, ditë më parë për Express, theksuan se ‘’siç është përmendur edhe në raportin e vitet të kaluar’’, ura e Ibrit duhet të hapet.
Porse, qëndrimi tyre nuk ishte vetëm kaq. Anipse, BE tha se ura duhet të hapet, nga unioni theksuan se kjo duhet të bëhet në ‘’konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës”.
Zëdhënësja e KE’së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media se qëndrimi i Bashkimit Evropian BE për urën është i qartë.
“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.
Që hapja e urës së Ibrit duhet të ketë parasysh të gjitha palët, ka thënë edhe një zyrtar i NATO’së. Ky i fundit, për Express, tha se e vendimi i mundshëm për rihapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete duhet të adresojë nevojat e të gjithë komuniteteve në atë pjesë.
Ndryshe, për çështjen e Urës së Ibrit, gjatë një konferencë sot, Kurti paralajmëroi se do të takohet me komandantin e KFOR’it, Ozkan Ulutas, ku, pritej të diskutohej pikërisht kjo çështje. Megjithatë, pasditen e sotme, KFOR njoftoi se ky takim është anuluar, gjë për të cilën, si arsye janë ‘’rrethanat e paparashikuara’’.
Sa i përket qëndrimeve të palës serbe, ato vazhdojnë të bëjnë thirrje për mos hapje të urës. Madje, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe sot, tha se këtë çështje do e diskutojë me shefin e NATO’s, Mark Rutte.