
Barcelona u eliminua nga Kupa e Mbretit pavarësisht fitores 3-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, pasi Atlético Madrid kishte fituar takimin e parë 4-0 dhe siguroi finalen, ku pret fituesin e derbit bask mes Athletic Bilbao dhe Real Sociedad.
Pas ndeshjes, në qendër të vëmendjes ishte reagimi i Antoine Griezmann. Ish-sulmuesi i Barçës, për të cilin klubi katalanas pagoi 120 milionë euro, publikoi një foto duke festuar, ndërsa lojtarët e Barcelonës shihen të dëshpëruar pas tij. Ai e shoqëroi me përshkrimin: “A është kjo foto shumë?”, duke nxitur reagime të ashpra nga tifozët blaugrana.
Shumë prej tyre e konsideruan postimin si mungesë respekti ndaj klubit që investoi shuma të mëdha për të, ndërsa të tjerë e panë si kundërpërgjigje ndaj një postimi të mëparshëm të Barcelonës me të njëjtin mesazh.
Veprimi i Griezmann vetëm sa e ka rritur tensionin mes dy skuadrave, të cilat pritet të përballen sërish në kampionat, e ndoshta edhe në Ligën e Kampionëve, nëse kalojnë kundërshtarët e tyre.