
Ish-kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur për FrontOnline për një shkuarje eventuale të vendit në zgjedhje të reja, duke e cilësuar një veprim të tillë si të panevojshëm dhe me kosto të lartë për buxhetin e shtetit.
Baraliu thekson se organizimi i zgjedhjeve përbën barrë të konsiderueshme financiare dhe se një vendim i tillë nuk duhet të merret pa u shteruar të gjitha mundësitë politike brenda institucioneve ekzistuese.
“Këto duan buxhet të mëdha sepse kushtojnë shumë. Shpenzime të paarsyeshme. Pse të shkohet në zgjedhje kur është në pyetje e që partitë politike munden me i zgjidhë problemet mes vete. E kanë konstituuar kuvendin, e kanë formuar qeverinë. Është veprim teknik-procedural që duhet bëhet për aq sa merr kohë votimi kaq”, është shprehur ai për FrontOnline.
Baraliu ka shprehur kritika të ashpra ndaj klasës politike, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie në raport me interesin publik.
“Në asnjë pikëpamje nuk duhet lejohet kjo klasë jo-serioze, e papërgjegjshme, kalkulative, që kalkulon për interesa politike e partiake dhe zgjedhore, në dëm të çdo gjëje tjetër e pa i llogaritur obligimet ndaj qytetarëve. Kaq shumë luftëra kemi në botë e këta bëjnë beteja politike mes vete”, ka deklaruar ai.