
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se në rast se nuk siguron një mandat të dytë në krye të shtetit, do t’i rikthehet angazhimit të drejtpërdrejtë politik.
“Nëse s’ka mandat të dytë, unë i rikthehem angazhimit politik”, kishte thënë Osmani, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në skenën partiake apo në një formë tjetër të organizimit politik, shkruan FrontOnline.
“Në qoftë se [partitë] vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve, në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë besa e shumëçka tjetër”, kishte thënë Osmani në një intervistë për Klan Kosova.
Osmani kishte deklruar se kërkon edhe një mandat për të vazhduar, siç tha ajo, “punët e mira” që ka bërë në mandatin e saj të parë. Ajo theksoi se për synim e saj edhe për një mandat në krye të shtetit e dinë të gjitha partitë politike, për shkak se ka folur publikisht për këtë çështje.
“Është në interes të Kosovës që të kemi një konsistencë, të kemi një vazhdimësi të punëve të mira që i kemi filluar, të lajmeve të mira, të fuqizimit imazhit të Kosovës, të mbrojtjes së dinjitetit të shtetit tonë – punë që besoj e kemi bërë me shumë sukses gjatë këtij mandati – dhe tani i takon të gjitha partive politike pa dallim që ta marrin një vendim të tillë në qoftë se do të përkrahin këtë vazhdimësi të punës sime, apo donë rrugë të tjera”, kishte shtuar ajo.