×
  • Lajme
  • Lajme

    Vullnet a obligim: Deputetët para procesit për zgjedhjen e presidentit

    FrontOnline
    03 Mars 2026

    Numrat, afatet dhe mungesa e konsensusit kanë kthyer çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës në një provë të funksionimit institucional.

    Teksa partitë po i llogarisin votat, janë shfaqur paqartësi rreth asaj nëse pjesëmarrja dhe votimi në seancën për presidentin përbëjnë obligim për deputetët, apo edhe nëse moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi çon vendin përsëri në zgjedhje të parakohshme.

    Çfarë thonë Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese? Si e vlerësojnë njohësit e fushës këtë çështje?

    Teksa nuk po gjejnë një kandidat konsensual, partitë politike nuk po pranojnë të mbështesin kandidatë partiakë.

    Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që seanca për zgjedhjen e presidentit të thirret pasi të jenë dorëzuar kandidatët e nominuar, të cilët shqyrtohen nga Komisioni për Legjislacion se sa i plotësojnë kushtet e përcaktuara.

    Neni 86 i Kushtetutës përcakton që secili kandidat duhet t’i sigurojë 30 nënshkrime të deputetëve për t’u nominuar, dhe se deputetët mund të japin nënshkrimin vetëm për një kandidat.

    Deri më tani, asnjë emër nuk është zyrtarizuar si kandidat.

    Pjesëmarrja në seancë dhe në votim

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi të hënën, pas një takimi konsultativ për çështjen e presidentit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, se Kushtetuta i obligon deputetët të votojnë.

    Ngjashëm si Kurti u deklarua edhe kryetarja e Kuvendit nga radhët e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Duke iu referuar aktgjykimit kushtetues për rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president në vitin 2011, Albulena Haxhiu tha si i njëjti “kërkon që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë”.

    Në anën tjetër, Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha të hënën se partia e tij merr pjesë në zgjedhjen e presidentit, nëse kandidati i propozuar prej saj zgjidhet president.

    Aktgjykimi i rastit “Pacolli”, të cilit i referohet LVV-ja, në pikën 83 thotë se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” sipas Kushtetutës dhe ligjeve që të marrin pjesë në seanca plenare, ndërsa pika 84 thotë se ata “duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre” zgjedhjen e presidentit.

    Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rast, gjykata ua rikujton deputetëve obligimet që kanë sa i përket funksionimit demokratik të institucioneve, por pa i detyruar si të veprojnë.

    Kjo çështje ishte sqaruar në aktgjykimin tjetër të Kushtetueses, për rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president në vitin 2016, kur LVV-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kishin kërkuar që zgjedhja e tij të shpallej antikushtetuese, me arsyetimin se nuk kishin marrë pjesë 120 deputetë në votim dhe se s’ishte përmbushur kuorumi.

    Pika 74 e atij dokumenti kishte dalë në përfundim se nuk është as parakusht, dhe as kërkesë kushtetuese, që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë, për të qenë i vlefshëm vendimi i zgjedhjes së presidentit.

    Sipas Miftarajt, askush nuk mund të ndikojë në vullnetin e lirë të deputetit, nëse dëshiron ta bëjë kuorumin në seancë apo jo.

    “Në demokracitë liberale, nuk ka Gjykatë Kushtetuese që mundet t’i tregojë, apo ta obligojë deputetin si të votojë dhe a të marrë pjesë në seancë apo jo.”

    A shkon Kosova në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti?

    Në secilin deklarim rreth çështjes së presidentit, përfaqësuesit politikë përmendin shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, në rast dështimi të zgjedhjes së kreut të shtetit.

    Por, Kushtetuta, në nenin për zgjedhjen e presidentit, thotë se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

    Miftaraj vlerëson se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.

    Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje.

    Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

    “Janë vetëm dy situata në të cilat shkohet në zgjedhje. E para, nëse, ta zëmë, më 5 mars fillon procesi për zgjedhjen e presidentit, dhe i njëjti nuk përmbyllet brenda 60 ditësh, automatikisht vendi shkon në zgjedhje. Dhe, në situatën e dytë, nëse në rundin e tretë të votimit për president nuk janë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidenti”, sqaron Miftaraj.

    Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

    Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Çka ndodhë nëse nuk zgjidhet fare presidenti?

    Më 5 prill, Osmani nuk do të ishte më presidente, ndërsa postin e saj do ta ushtronte kryetarja e Kuvendit, Haxhiu, jo më gjatë se 6 muaj, siç e parasheh Kushtetuta.

    Nëse deri këtë të enjte nuk zgjidhet presidenti, Miftaraj vlerëson se 10 deputetë do të mund t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për interpretim të situatës.

    Ai konsideron se gjykata do të mund t’u kërkonte atyre të provonin zgjedhjen e presidentit para se Osmanit t’i skadojë mandati, ose në të kundërtën shkohet automatikisht në zgjedhje.

    “As kjo nuk ka bazë të shkruar të Kushtetutë, por Gjykata ka të drejtën e interpretimit të saj”.

    Në Kosovë, presidenti përfaqëson unitetin e popullit, dhe garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë.

    Do të varet nga veprimet e aktorëve politikë nëse do të arrijnë të pajtohen për një emër që ta marrë këtë rol./Radio Evropa e Lirë

    Nga Rubrika
    Lajme03 Mars 2026
    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua sot në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, me temë kryesore luftën në...
    Lajme03 Mars 2026
    Veprimtari i çështjes kombëtare, Emrush Xhemajli, në emër të Shoqërisë “Lëvizja”, mbajti një fjalim emocionues më 1 mars në Winterthur të Zvicrës,...
    Lajme03 Mars 2026
    Numrat, afatet dhe mungesa e konsensusit kanë kthyer çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës në një provë të funksionimit institucional. Teksa...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se të mërkurën, më 04.03.2026, në kuadër të punimeve në projektin e zgjerimit të Rrugës Nacionale N9,...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi ka konfirmuar frikën e tyre më të keqe pasi Rodrygo Goes u diagnostikua me një këputje të ligamentit të kryqëzuar...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kryeqytetin e Libanit, Beirut, ka njoftuar se “do të jetë e mbyllur deri në...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, thotë se “do të jetë e mbyllur deri në një njoftim të...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    ryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar kritikat se konflikti që po shpërthen në Lindjen e Mesme do të shndërrohej në një “luftë...
    Lajme03 Mars 2026
    E Ngarkuara me Punë e Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar sot me ministrin e Financave, Hekuran...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.