
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka nisur këtë të martë një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit me ceremoni shtetërore dhe nderime ushtarake nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Ai bëri të qartë se Aleanca do të përkujdeset me përkushtim të madh për çdo vend aleat.
“NATO është e përkushtuar për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat, ngado që të vijë sfida”, deklaroi Rutte. Ai shprehu falënderime për Maqedoninë e Veriut për mbështetjen që jep në kuadër të misionit të KFOR-it, ndërsa theksoi se NATO po sigurohet që ky mision të mbetet i fuqishëm.
Kjo vizitë, e para e Rutte në Shkup që prej marrjes së drejtimit të Aleancës, shënon një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shkupit dhe NATO-s në kuadër të sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Pas pritjes zyrtare në Kabinetin e Presidentes, delegacionet e të dyja palëve kanë nisur një takim plenar, ndërsa agjenda parashikon takime të ndara edhe me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Rutte do t’u drejtohet deputetëve në Kuvend dhe do të vizitojë kazermën “Ilinden” për të parë nga afër kapacitetet e Grupit Batalion i Këmbësorisë së Lehtë të Armatës.
Vizita vjen si vijimësi e angazhimit të Aleancës në rajon, pas vizitës së paraardhësit Jens Stoltenberg në vitin 2023, duke rikonfirmuar pozicionin e Maqedonisë së Veriut si partner strategjik në krahun juglindor të NATO-s.