
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për FrontOnline ka vlerësuar se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po e shtyn ekonominë globale drejt një krize të re të madhe, ndërsa Kosova po e përballon këtë situatë në rrethana të pafavorshme politike dhe ekonomike.
Sipas Gërxhaliut, shumë ekspertë ndërkombëtarë tashmë kanë paralajmëruar se ky vit mund të shndërrohet në një vit krize ekonomike të përmasave të vitit 2008, duke theksuar se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht realitetin global.
“Shumë ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar që ky vit do të jetë vit i krizës ekonomike, madje e përmasave të vitit 2008. Pas sulmeve dhe zhvillimeve të fundit, bota nuk është më siç ka qenë dhe po hyn në një fazë të re pasigurie ekonomike”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar situatën e brendshme politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po e pret këtë krizë pa stabilitet institucional.
“Derisa vendet tjera po luftojnë për t’i minimizuar problemet dhe ndikimet e kësaj krize globale, ne në Kosovë kemi garë politike dhe mungesë stabiliteti politik. Kjo luftë dhe kjo krizë e gjen Kosovën në një moment shumë të pavolitshëm”, tha për Front Online Gërxhaliu.
Duke folur për energjinë dhe tregtinë globale, ai ka vënë në pah rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, të cilën e ka cilësuar si arterien kryesore të furnizimit me naftë për ekonomitë e zhvilluara.
“Ngushtica e Hormuzit është arteria kryesore e vendeve të zhvilluara dhe nyja më e rëndësishme për furnizimin global me naftë. Vetëm dje kanë qenë të bllokuara rreth 150 anije, ndërsa sot numri ka shkuar në 240 anije të bllokuara, dhe kjo flet shumë për seriozitetin e situatës”, ka thënë ai.
Sipas Gërxhaliut, këto zhvillime do të reflektohen drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të naftës dhe në përkeqësimin e kushteve ekonomike për vendet e vogla.
“Do të ketë rritje të çmimit të naftës dhe kjo do t’i godasë ekonomitë si ajo e Kosovës në mënyrë direkte përmes rritjes së kostove, por edhe në mënyrë indirekte, sepse do të goditen ekonomitë familjare dhe do të rritet kostoja e jetesës për qytetarët”, ka përfunduar Gërxhaliu për FrontOnline.
Konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon ekonominë globale, Kosova në rrezik nga rritja e çmimeve