
Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, do të marrë një vendim të rëndësishëm këtë verë lidhur me të ardhmen e tij në klub, ndërsa Real Madridi po e monitoron nga afër situatën, sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano.
Rodri ka kontratë me Man Cityn deri në vitin 2027, por në muajt e ardhshëm ai duhet të vendosë nëse do ta vazhdojë qëndrimin në “Etihad” me një kontratë të re apo do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.
Vendimi nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, por edhe me çështje personale, përfshirë familjen dhe stilin e jetesës.
“Rodri do të përballet me një vendim të madh në muajt e ardhshëm: të qëndrojë te Manchester City dhe të nënshkruajë kontratë të re, apo të konsiderojë një aventurë të re”, ka deklaruar Romano.
Real Madridi ka shfaqur interes të brendshëm për reprezentuesin spanjoll, me drejtuesit që vlerësojnë shumë cilësitë e tij. Megjithatë, çdo lëvizje e mundshme varet fillimisht nga vendimi i vetë lojtarit.
“Vendimi për ta mbyllur derën e largimit apo për të nisur një sfidë të re është plotësisht në dorën e Rodrit.
Ai ka fituar gjithçka me Cityn, përfshirë Topin e Artë dhe trofe madhorë me klubin, dhe tani duhet të përcaktojë drejtimin e karrierës së tij,” shtoi Romano.
Real Madridi pritet ta ndjekë me shumë vëmendje situatën gjatë verës. /Telegrafi/