
Vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës mund të ndikojnë në dinamikën e përdorimit të fondeve ndërkombëtare, kështu po deklaron për “Front Online” eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri.
Beqiri ka sqaruar se kjo situatë nuk do të thotë domosdoshmërisht humbje të menjëhershme të fondeve.
“Nga pikëpamja ekonomike, vonesa në konstituimin e Kuvendit mund të ketë ndikim në dinamikën e realizimit të fondeve të huaja. Shumë nga këto mjete janë të lidhura me procedura formale, përfshirë miratimin parlamentar dhe përmbushjen e afateve të caktuara. Kjo situatë nuk nënkupton humbje të menjëhershme të fondeve, por mund të sjellë shtyrje në disbursim, rritje të pasigurisë institucionale dhe nevojë për riplanifikim të projekteve”, tha ai.
Sipas tij, vonesat në funksionimin e institucioneve zakonisht ndikojnë në ritmin e investimeve publike dhe në efektet ekonomike që këto fonde synojnë të prodhojnë.
“Vonesat institucionale zakonisht ndikojnë në ritmin e investimeve publike dhe në efektet ekonomike që këto fonde synojnë të gjenerojnë. Sa më shpejt të funksionalizohen institucionet vendimmarrëse, aq më i parashikueshëm dhe më efikas bëhet menaxhimi i fondeve dhe zbatimi i projekteve zhvillimore”, ka deklaruar Beqiri për “Front Online”.
Nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.
Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.
Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.
E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove./FrontOnline/