
Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në njëprononcim për “Front Online” ka kritikuar skenën politike në vend, duke e cilësuar si të papërgjegjshme qasjen e pozitës dhe opozitës ndaj moskrijimit të institucioneve.
Sipas tij, vonesat po rrezikojnë drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.
“Është një mosseriozitet i skenës politike, i pozitës dhe opozitës, që po luajnë me fatin e vendit, ekonominë, bizneset dhe me mirëqenien e qytetarëve. Duhet të formohen institucionet sa më parë dhe të votohen sa më shpejt këto marrëveshje, sepse Kosova ndodhet në gjendje të rëndë ekonomike”, tha Dreshaj.
Ai ka bërë të ditur se rreth një miliard euro fonde janë në pritje, ndërsa marrëveshjet përkatëse ende nuk janë votuar për shkak të krizës politike.
“Një miliard euro janë në pritje, ndërsa politika vazhdon të vonojë, një papërgjegjësi kolektive e pozitës dhe opozitës që po rrezikon seriozisht ekonominë e Kosovës, të ardhmen e bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve, në një kohë kur vendi nuk ka më luks për bllokada institucionale”, u shpreh ai.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe faktorëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi shtetërore, të tejkalojnë dallimet politike dhe të mundësojnë funksionimin e Kuvendit sa më shpejt.