
Shërbyesit civilë në Kosovë ende po e presin pagën e 13-të, e cila ishte parashikuar me ligjin e ri për buxhetin e vitit 2026.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati deklaruar se paga e 13-të për administratën shtetërore është parashikuar me ligjin e ri dhe pritet të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme, sapo të formohet dhe të miratohet Ligji për buxhetin.
Kjo do të thotë se ekzekutimi i pagës së 13-të mund të bëhet vetëm pas miratimit të Ligjit për buxhetin.
Sindikatat e sektorit publik kanë shprehur shqetësime se kjo pagesë nuk mjafton për të përballuar shpenzimet e punonjësve, duke theksuar nevojën për rritje reale të koeficientit dhe kanë paralajmëruar se nga ngërçi politik mund të mbesin edhe pa paga.
Jasharaj paralajmëron: Mund të mbetemi pa paga
“Punëtorët e sektorit publik mund të mbesin pa paga, nëse vazhdon vonesa në konstituimin e institucioneve”, kështu po deklaron për “Front Online” kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj shprehet se paga e 13-të do të ishte e mirëseardhur vetëm nëse do të përfshinte të gjithë punëtorët.
“Bazuar në situatën aktuale politike kemi frikë se jo me marr pagën e 13, por mund të mbetemi fare pa paga nëse vonohet konstituimi i institucioneve. Mirë do të ishte paga e 13 po të ishte për të gjithë punëtorët. Kjo do t’iu ndihmonte të gjithë punëtorëve nëse do të realizohet ky premtim”, ka deklaruar Jasharaj për “Front Online”.
Sindikata e Shërbyesve Civil: Rritja e koeficientit do të ishte zgjidhja më e mirë për sektorin publik
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Ali Sefaj është shprehur për “Front Online” se rritja e koeficientit do të ishte zgjidhja më e mirë për punëtorët e sektorit publik.
Sefaj shtoi se aktualisht nuk mund të pritet as rritje e koeficientit dhe as paga e 13-të, pasi ekziston rreziku që vendi të përballet me ngërç politik.
“Më mirë do të ishte të rritet koeficienti, cilado e ardhur që rritet tek paga minimale është e mirëseardhur për sektorin publik apo privat si rezultat i inflacionit të lartë që e ka kapluar vendin duke devalvuar dukshëm fuqinë blerëse. Jemi në një periudhë ku nuk mund të presim as rritje të koeficientit dhe as pagë të 13 se ka rrezik që vendi të përballet me ngërç politik”, tha Sefaj për “Front Online”.
Kreu i Zjarrfikësve: Çmimet e larta e bëjnë të vështirë jetesën, paga e 13-të vetëm stimulim
Kryetari i Zjarrfikësve, Muharrem Beka në një deklaratë dhënë “Front Online” thotë se punëtorët në Kosovë duhet të kenë një pagë dinjitoze, ndërsa paga e 13-të mund të funksionojë si një stimulim.
Beka shtoi se vetëm paga e 13-të nuk mjafton dhe gjatë gjithë vitit punonjësit duhet të jenë në gjendje të përballojnë shpenzimet bazë për ushqim.
“Duhet të sigurohet një pagë e dinjitetshme për punëtorët në Kosovë dhe paga e 13 do të ishte si pagë stimuluese si praktikë e vendeve të zhvilluara që u jepet. Nuk mjafton vetëm paga e 13 dhe gjatë gjithë vitit kategoritë e të punësuarve të mos ballafaqohen me probleme për sigurimin e ushqimit dhe mbijetesës sepse çmimet aktuale me këto paga vështirë të dilet në fund të muajit”, përfundoi Beka për “Front Online”.
Sindikata e Policisë: Koeficienti duhet të rritet për të gjithë punëtorët
Avdi Hoti, nga Sindikata e Policisë së Kosovës për “Front Online” deklaron se janë të vetmit në sektorin publik që përfitojnë pagën e 13-të, edhe përmes udhëzimit administrativ, duke e marrë atë që u takon me ligj.
Hoti shtoi se zgjidhja e duhur do të ishte rritja reale e koeficientit të pagës.
“Ne në polici punojmë me 13 cikle dhe në sektorin publik e vetmja është Policia që i takon paga e 13 edhe me udhëzim administrativ dhe jemi ka e marrim atë që kemi fituar edhe me ligj. Paga e 13 i takon edhe nëse nuk i jepet shërbyesve të tjerë civil, por Policisë po. Koeficienti duhet të ngritët e jo vlera e koeficientit në mënyrë lineare të jetë për të gjithë e barabartë të rritet koeficienti”, ka thënë Hoti për “Front Online”.
Ekonomisti: Paga e 13-të po përdoret si instrument politik, jo zgjidhje reale
Njohësi i çështjeve ekonomike, Adem Qorrolli në një prononcim për “Front Online” ka kritikuar premtimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për pagën e 13-të në sektorin publik, duke e cilësuar atë më shumë si instrument politik sesa si zgjidhje për problemet e punëtorëve.
“Premtimi për pagën e 13-të po perceptohet si instrument politik për të zbutur pakënaqësinë, e jo si zgjidhje reale e problemeve. Koeficienti nuk po rritet, sindikatat janë të pakënaqura dhe fuqia blerëse e punëtorëve po bie çdo ditë për shkak të rritjes së çmimeve, një pagesë shtesë vjetore nuk e korrigjon padrejtësinë strukturore që po u bëhet punëtorëve të sektorit publik”, u shpreh ai.
Qorrolli shprehet se paga e 13-të nuk e ndal varfërimin e punëtorëve.
“Dëmet e shkaktuara po tentohen të mbulohen me një pagë shtesë që nuk e ndal varfërimin, se ajo që jepet formalisht, merret prapë përmes taksave, tatimeve dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës. Kjo e bën pagën e 13-të më shumë një mashtrim politik, sesa një masë reale për përmirësimin e jetesës së punëtorëve”, thotë Qorrolli.
Ai vlerëson se zgjidhja e domosdoshme do të ishte rritja reale e koeficientit dhe disa vendime tjera.
“Rritje reale e koeficientit, zbatim i plotë i kontratës kolektive, sigurim shëndetësor funksional për punëtorët publikë, kompensim i drejtë për ndërrimet e natës, punën jashtë orarit dhe rrezikshmërinë, dialog i sinqertë dhe serioz me sindikatat”, ka deklaruar Qorrolli për “Front Online”.