
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka shprehur shqetësim lidhur me vështirësitë e furnizimit me energji elektrike gjatë muajve të fundit, duke theksuar se ndërprerjet e shpeshta dhe pa paralajmërim po e godasin drejtpërdrejt sektorin prodhues në Kosovë.
Sipas Shahinit, mungesa e rrymës po shkakton humbje të mëdha për bizneset.
Ai tha për “Front Online” se situata është edhe më shqetësuese për investitorët e huaj.
“Vështirësitë e paraqitura muajt e fundit me furnizim të energjisë elektrike janë shqetësuese kemi mungesë të rrymës edhe pa paralajmërim dhe kjo po e godet sektorin prodhues kur ata goditën me mungesë të rrymës pa paralajmërim kanë humbje në lëndën e parë për çdo biznes e lëre më për ata të huajt që nuk vijnë hiç”, ka thënë Shahini.
Ai shtoi se për shkak të ndërprerjeve të rrymës, shumë biznese janë detyruar të blejnë agregatë për prodhim të energjisë.
“Në mungesë të rrymës dhe shtrenjtimit të saj ka shtrenjtim edhe të produkteve nga bizneset, ndërprerje e rrymës i shtinë në përdorim që të blejnë agregat derivatet e naftës janë të shtrenjta dhe këto e mbyllin ose vështirësojnë punën në biznes”, thotë ai.
Shahini shprehet se disa biznese kanë reduktuar numrin e të punësuarve.
“Shumë biznese kanë reduktuar numrin e të punësuarve disa edhe kanë ikë nga Kosovë me bërë biznes në tjera vende”, deklaroi Shahini për “Front Online”.
“Ndërprerjet e rrymës në Kosovë” – Bizneset paralajmërojnë pasoja të rënda dhe humbje financiare