
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, për FrontOnline ka paralajmëruar se Kosova po përballet me rrezikun e një krize të thellë energjetike, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, sektori i biznesit dhe funksionimi i shërbimeve publike.
Sipas tij, një pjesë e madhe e qytetarëve rrezikojnë të mbesin pa furnizim të rregullt me energji elektrike, çka do të reflektohet edhe në ngrohje gjatë sezonit të ftohtë.
Mulaj thekson se, megjithëse Qeveria e Kosovës ka subvencionuar pajisje për ngrohje, mungesa e energjisë mbetet problem serioz.
“Qytetarët kanë me u mërdhi sepse një pjesë e madhe e tyre kanë me u furnizu me energji elektrike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se subvencionimi i pajisjeve për ngrohje nuk e zgjidh thelbin e problemit në mungesë të furnizimit stabil.
Njohësi i energjisë vlerëson se bizneset do të përballen me rritje të ndjeshme të kostove operative, pasi çmimet e prodhimit tashmë janë ndikuar nga energjia elektrike dhe do të detyrohen të përdorin alternativa më të shtrenjta.
“Bizneset kanë me u përballur me kosto më të larta për shkak se kanë lëvizur kostot e prodhimit dhe duhet me përdor alternativa tjera”, ka theksuar ai për FrontOnline.
Mulaj, paralajmëron gjithashtu probleme edhe në aspektin e sigurisë publike, duke rikujtuar se një pjesë e madhe e sistemeve publike funksionojnë me energji elektrike.
“Siguria ka me pasur probleme, sepse një pjesë e sistemit publik funksionon me energji elektrike dhe janë një sërë pasojash që do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka deklaruar ai.
Duke folur për perspektivën afatgjatë, Mulaj ka qenë pesimist sa i përket çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se shtrenjtimi do të vazhdojë përderisa Kosova nuk rrit kapacitetet prodhuese dhe nuk investon në linjat furnizuese.
“Gjithmonë ka me pasur shtrenjtim të energjisë elektrike përderisa nuk ka rritje prodhuese në Kosovë dhe nëse nuk ka investime në linjat furnizuese”, ka përfunduar ai për FrontOnline.
Kriza me energji/ Pas ndërprerjeve, paralajmërohet shtrenjtim dhe ndryshim i tarifave