
Nga Shoqata e Bankave të Kosovës janë deklaruar për “Front Online” lidhur me shqetësimet e qytetarëve për ndryshimet e mundshme në tarifat bankare, të cilat sipas tyre nuk lidhen me nivelit të fitimit.
Sipas Shoqatës, përcaktimi i tarifave ndikohet nga një sërë faktorësh.
“Shoqata e Bankave të Kosovës e kupton shqetësimin e konsumatorëve lidhur me ndryshimet eventual që mund të ndodhin në tarifat bankare. Ndryshimi i tarifave nuk lidhet drejtpërdrejt vetëm me nivelin e fitimit, por me një sërë faktorësh, përfshirë rritjen e kostove operative, investimet e vazhdueshme në teknologji dhe siguri digjitale, përmbushjen e kërkesave administrative dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve”, thuhet në përgjigje.
Sipas Shoqatës së Bankave të Kosovës, bankat vazhdojnë të ofrojnë llogari bazike me kosto shumë të ulëta.
“Bankat ofrojnë llogarite bazike me kosto shumë të ulëta për një segment të gjerë të konsumatorëve dhe për kategoritë e cenueshme edhe pa tarifë të mirëmbajtjes”, thuhet në përgjigje.
Tutje, nga Shoqata e Bankave thuhet se konsumatorët bankarë në Kosovë janë të mbrojtur nga korniza ligjore dhe rregullative e BQK-së.
“Konsumatori bankar në Kosovë është i mbrojtur përmes kornizës ligjore dhe rregullative të BQK, e cila obligon bankat që çdo ndryshim në tarifa të jetë transparent dhe i komunikuar me konsumatorin. Bankat janë të detyruara të njoftojnë klientët për çdo ndryshim në tarifat dhe kushtet e shërbimeve, duke u dhënë kohë të mjaftueshme për t’u informuar dhe për të marrë sqarime”, thuhet në përgjigje.
Shoqata shton se bankat në Kosovë janë të vetëdijshme për përgjegjësinë ndaj konsumatorëve.
“Bankat në Kosovë janë të vetëdijshme për përgjegjësinë që kanë ndaj konsumatorit dhe synojnë të ruajnë një ekuilibër mes qëndrueshmërisë financiare dhe ofrimit të shërbimeve të përballueshme. Konkurrenca në tregun bankar, transparenca dhe mbikëqyrja rregullative mbeten mekanizmat kryesorë që sigurojnë mbrojtjen e interesit të klientëve”, thuhet në përgjigjen e tyre.