
Rritja e tarifave bankare për disa shërbime bazike po kthehet në një nga çështjet më të diskutuara në sektorin financiar në Kosovë.
Gjatë këtij viti, një pjesë e bankave komerciale kanë vendosur të shtrenjtojnë shërbime që përdoren çdo ditë nga qytetarët dhe bizneset, përfshirë tërheqjen e parave në degë, mirëmbajtjen e kartelave bankare dhe shërbimet e e-bankingut.
Këto ndryshime po ndodhin në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur, ndërsa sektori bankar ka raportuar fitime rekorde në vitin e kaluar, çka ka nxitur reagime dhe shqetësime për barrën financiare mbi konsumatorët.
Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se sektori bankar ka mbyllur vitin 2024 me një fitim neto prej 182.1 milionë euro, më i larti i regjistruar ndonjëherë në vend. Ndërkaq, nga janari deri në shtator të këtij viti fitimi neto i bankave komerciale ishte 137.2 milionë euro.
Nga Shoqata e Bankave të Kosovës është arsyetuar kjo rritje, derisa nga ish-guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës është ngritur nga shqetësim për rëndimin e kuletës së qytetarëve dhe bizneseve.
Shoqata e Bankave sqaron arsyet e ndryshimeve të tarifave: Nuk lidhet vetëm me nivelin e fitimit
Nga Shoqata e Bankave të Kosovës janë deklaruar për “Front Online” lidhur me shqetësimet e qytetarëve për ndryshimet e mundshme në tarifat bankare, të cilat sipas tyre nuk lidhen me nivelit të fitimit.
Sipas Shoqatës, përcaktimi i tarifave ndikohet nga një sërë faktorësh.
“Shoqata e Bankave të Kosovës e kupton shqetësimin e konsumatorëve lidhur me ndryshimet eventual që mund të ndodhin në tarifat bankare. Ndryshimi i tarifave nuk lidhet drejtpërdrejt vetëm me nivelin e fitimit, por me një sërë faktorësh, përfshirë rritjen e kostove operative, investimet e vazhdueshme në teknologji dhe siguri digjitale, përmbushjen e kërkesave administrative dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve”, thuhet në përgjigje.
Sipas Shoqatës së Bankave të Kosovës, bankat vazhdojnë të ofrojnë llogari bazike me kosto shumë të ulëta.
“Bankat ofrojnë llogarite bazike me kosto shumë të ulëta për një segment të gjerë të konsumatorëve dhe për kategoritë e cenueshme edhe pa tarifë të mirëmbajtjes”, thuhet në përgjigje.
Tutje, nga Shoqata e Bankave thuhet se konsumatorët bankarë në Kosovë janë të mbrojtur nga korniza ligjore dhe rregullative e BQK-së.
“Konsumatori bankar në Kosovë është i mbrojtur përmes kornizës ligjore dhe rregullative të BQK, e cila obligon bankat që çdo ndryshim në tarifa të jetë transparent dhe i komunikuar me konsumatorin. Bankat janë të detyruara të njoftojnë klientët për çdo ndryshim në tarifat dhe kushtet e shërbimeve, duke u dhënë kohë të mjaftueshme për t’u informuar dhe për të marrë sqarime”, thuhet në përgjigje.
Shoqata shton se bankat në Kosovë janë të vetëdijshme për përgjegjësinë ndaj konsumatorëve.
“Bankat në Kosovë janë të vetëdijshme për përgjegjësinë që kanë ndaj konsumatorit dhe synojnë të ruajnë një ekuilibër mes qëndrueshmërisë financiare dhe ofrimit të shërbimeve të përballueshme. Konkurrenca në tregun bankar, transparenca dhe mbikëqyrja rregullative mbeten mekanizmat kryesorë që sigurojnë mbrojtjen e interesit të klientëve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ish-guvernatori: BQK nuk reagoi mjaftueshëm, rritja e tarifave bankare po rëndon qytetarët dhe bizneset
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti në një prononcim për “Front Online” ka reaguar ndaj rritjes së tarifave bankare për disa shërbime bazike, duke paralajmëruar se këto vendime po krijojnë barrë për qytetarët dhe bizneset.
“Rritja deri në 100% e tarifave bankare për shërbime bazike përbën një barrë të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm. Këto nuk janë shërbime luksi, por nevoja themelore për funksionimin financiar të përditshëm”, tha Mehmeti.
Ai tha se situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se këto rritje kanë ndodhur vetëm pak muaj pasi bankat kanë raportuar fitime rekorde.
“Fakti që këto rritje kanë ndodhur pak muaj pasi bankat kanë realizuar fitime rekorde e bën situatën edhe më problematike dhe cenon besimin publik në sistemin bankar. Bankat kanë përgjegjësi jo vetëm ndaj aksionarëve, por edhe ndaj klientëve dhe stabilitetit afatgjatë të tregut financiar”, u shpreh ai.
Mehmeti ka kritikuar rolin e BQK-së, duke thënë se reagimi i saj deri më tani ka qenë i pamjaftueshëm.
“Roli i BQK është thelbësor dhe, fatkeqësisht, reagimi i saj deri tani ka qenë i pamjaftueshëm. BQK nuk mund të kufizohet vetëm në pranimin e ankesave, pasi ka mandat ligjor për mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme”, deklaroi Mehmeti.
Sipas tij, BQK duhej të kishte kërkuar analiza të detajuara të kostove, transparencë të plotë nga bankat.
“BQK duhej të kishte kërkuar analiza të detajuara të kostove, transparencë të plotë nga bankat dhe, nëse do të ishte e nevojshme, të përdorte instrumente rregullative për të parandaluar rritje disproporcionale. Mbrojtja e konsumatorit financiar nuk është funksion dytësor, por një detyrim thelbësor institucional”, thotë Mehmeti për “Front Online”.
Oda e Afarzimit: Rritja e tarifave dhe normave të interesit po rëndon qytetarët
Kushtrim Ahmeti, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka folur për “Front Online” lidhur me rritjen e tarifave të shërbimeve bankare në Kosovë, duke i cilësuar ato si një situatë të vështirë për qytetarët.
Ai tha se shqetësuese është edhe rritja e normave të interesit të kredive, të cilat po ndikojnë në borxhin që qytetarët kanë ndaj bankave.
“Është situatë e vështirë ka mjaftuar edhe kjo me u rritë çmimet e shërbimeve nga bankat thuajse për çdo muaj më shqetësuese është edhe rritja e normave të interesit të kredive në një situatë që ne mbesim një vend që e kemi borxhin e keq ndaj bankave. Është e paqartë se pse u desh të rriteshin normat e interesit të kredive”, u shpreh Ahmeti për “Front Online”.