
Rritja e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave sociale për nënat lehona ka dominuar diskursin politik në prag të zgjedhjeve, duke u shndërruar në boshtin kryesor të premtimeve elektorale të partive politike.
Këto zotime kanë nxitur reagime kritike nga ish-zyrtarë shtetërorë, të cilët vënë në pikëpyetje realizueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, duke i cilësuar si premtime fushate me karakter propagandistik dhe pa mbështetje reale ekonomike.
Ish-ministri Reçica: Lëvizja Vetëvendosje po i përdor politikat sociale si karrem fushate
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në një prononcim për Front Online i ka vlerësuar premtimet për rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave për nënat lehonë si propagandë elektorale, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i përdor politikat sociale për qëllime fushate
‘’Premtimet për rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave për nënat lehonë janë shndërruar në propagandë të pastër elektorale. Lëvizja Vetëvendosje po i përdor politikat sociale si karrem fushate, pa vizion, pa reformë dhe pa përgjegjësi reale’’, tha Reqica pë Front Online.
Sipas ish ministrit Reqiça, qeveria aktuale ka dështuar të ndërtojë drejtësi sociale, duke u mjaftuar me masa të përkohshme dhe ad hoc, të cilat më shumë kanë shërbyer për menaxhimin e varfërisë sesa për zgjidhjen e saj.
‘’Kjo qeveri nuk ndërtoi drejtësi sociale, ajo thjesht menaxhoi varfërinë përmes masave ad hoc, të përkohshme dhe të kalkuluara vetëm për konsum elektoral’’, tha ish inistri Reqiça.
Reçica tha se paga minimale nuk arrin të mbulojë as shportën bazë të konsumit, pensionistët vazhdojnë të jetojnë nën pragun e dinjitetit, ndërsa nënat lehonë nuk përfitojnë politika serioze që do t’u garantonin siguri sociale, punësim dhe stabilitet afatgjatë për familjet.
Ish-ministri Reqiça, vlerëson se qytetarët kanë nevojë për politika të qëndrueshme ekonomike dhe sociale, e jo për premtime fushate, duke shtuar se paga dinjitoze, pensionet e drejta dhe mirëqenia reale nuk mund të ndërtohen përmes propagandës.
‘’Paga minimale nuk e përballon më as shportën bazë, pensionistët janë lënë të mbijetojnë nën pragun e dinjitetit, ndërsa nënat lehona trajtohen me ndihma simbolike, jo me politika serioze që garantojnë siguri sociale, punësim dhe një të ardhme të qëndrueshme për familjen. Qytetarët nuk kanë nevojë për premtime boshe në kohë fushate por për paga dinjitoze, pensione të drejta dhe politika që u shërbejnë njerëzve, jo propagandës’’, deklaron Reqiça.
Reçica e sheh procesin zgjedhor të 28 dhjetorit si një moment vendimtar për të vlerësuar performancën qeverisëse dhe për të ndëshkuar dështimet, me synimin për rikthimin e dinjitetit dhe drejtësisë sociale për qytetarët.
‘’Më 28 dhjetor është momenti për të mos e shpërblyer dështimin, por për ta ndëshkuar atë. Është dita për t’i thënë mjaft mashtrimit, për të rikthyer dinjitetin dhe drejtësinë sociale, dhe për të ndërtuar një mirëqenie reale për çdo familje’’, tha ish-ministri Reqiça për Front Online.
Ish-deputeti i VV-së: Kjo klasë politike po e bind popullin se ai që gënjen më shumë është politikan më i mirë
Kritikave ndaj premtimeve elektorale për rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave sociale i është bashkuar edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, i cili vlerëson se premtimet janë shndërruar në një praktikë të zakonshme të fushatave zgjedhore, ku flitet me fjalë të mëdha, por pa garanci për realizim.
‘’Premtimet elektorale janë bërë një farë praktike që të flasin fjalë të mëdha dhe këto janë premtimet që shpesh herë edhe nuk realizohen fare , sepse në kushte normale secila parti ka buxhet përafërsisht të caktuar ’’, tha Humolli për Front Online.
Ish-deputeti Humolli thotë se problemi kryesor mbetet mungesa e ndëshkimit politik nga elektorati, pasi qytetarët ende nuk po i dënojnë partitë dhe politikanët që nuk i mbajnë zotimet e tyre.
‘’Është mirë që qytetarët të mësohen që të dënojnë atë që nuk realizon premtimet’’, tha Humolli.
Humolli vlerëson se klasa politike ka krijuar bindjen se ai që premton më shumë dhe flet më fort shihet si politikan më i mire. Në këtë kontekst, Humolli thotë se qytetarët duhet të kërkojnë llogaridhënie dhe realizim konkret të premtimeve që reklamohen gjatë fushatës.
‘’ Kjo klasë politike do ta bind popullin që ai që rren më shumë është politikan më i mirë ,e vërteta është që ai është rrenc e jo politikan dhe qytetari duhet të mësohet që ta kërkojë realizimin e premtimeve që po i reklamon në fushatë’’, tha Humolli./Front Online