
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, vlerëson se rritja e inflacionit në nëntor në nivelin 5.3 për qind ka dobësuar edhe më tej fuqinë blerëse të qytetarëve, duke qenë dukshëm më e lartë krahasuar me muajt paraprakë.
Sipas tij, gjatë këtij viti është vërejtur një rritje graduale e inflacionit, nga 4.2 për qind në korrik, 4.3 për qind në gusht, 4.7 për qind në shtator dhe 5.1 për qind në tetor, deri në nivelin aktual.
‘’ Rritja e inflacionit ne nëntor prej 5.3% e dobëson fuqinë blerëse edhe ma shume sepse kjo rritje është ma e lartë ne krahasim me muajin paraprak për shembull., korriku i këtij viti inflacioni ishte 4.2% ne krahasim me korrik te vitit te kaluar pastaj gushti 4.3% shtatori 4.7% tetori 5.1% si dhe nēntori si e cekem me lartë’’, tha Bellaqa për FrontOnline.
Bellaqa thotë se faktorët kryesorë që po nxisin inflacionin janë kryesisht të brendshëm. Ai veçon rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin qershor prej 16.1 për qind, e cila, sipas tij, ka shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe jetësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë familjare me të ardhura të ulëta dhe në kategoritë sociale.
‘’ Faktorët qe po nxisin janë tē brendshëm si rritja e çmimit te energjisë elektrike ne qershor prej 16.1% qe ka shkaktuar rritjen e te gjitha çmimeve elementare bazike apo jetësore dhe ka ndikuar direkt ne ekonomit familjare me te hyra te ulëta dhe te kategorisë sociale ju ka vështirësuar edhe ma shume jetën socio ekonomike’’, tha njohësi i ekonomisë.
Sipas Bellaqës, një tjetër problem serioz është mungesa e funksionimit të institucioneve qendrore, përfshirë parlamentin dhe qeverinë, si dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut.
Ai vlerëson se kjo situatë ka krijuar hapësirë për formimin e monopoleve të fshehta në rrjetin e marketeve, ku çmimet nuk po përcaktohen më nga oferta dhe kërkesa, por nga praktika monopoliste.
‘’Faktor tjetër i brendshëm është mos formimi institucioneve qendrore ( parlamenti dhe qeveria) dhe mos mbikëqyrja dhe mos kontrolli ekonomisë ku është krijuar një monopol i fshehtë nga rrjeti marketeve ku ka ndikuar qe çmimet mos te formohen nga forca ofertës dhe kërkesë por çmimet tē formohen sipas monopolit qe ka ndikuar negativisht ne përkeqësimin e situatës se tregut e të mirave dhe shërbimeve’’, tha Bellaqa.
Njohësit ngrenë alarmin: Shtrenjtimi i jetesës po del jashtë kontrollit