
Në përmbyllje të aktiviteteve dhe diskutimeve publike të ditëve të fundit mbi gjendjen e sundimit të ligjit dhe integritetin institucional në vend, organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime të forta për mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Edhe pse vlerësimet ndërkombëtare regjistrojnë përmirësime të lehta, ekspertët theksojnë se progresi real në praktikat hetimore dhe gjyqësore vazhdon të mungojë.
Sipas Transparency International – Corruption Perceptions Index 2024, Kosova renditet në vendin 73 nga 180 shtete, me pozicion më të mirë se disa vende të rajonit, por me progres të ngadaltë dhe kryesisht në nivel perceptimi. Në krahasim me fqinjët, Kosova qëndron pas Malit të Zi, por para Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
IKD: Kosova midis vendeve me rezultate të mira në rajon, por lufta kundër korrupsionit duhet të jetë permanente
Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha për Front Online se raporti i publikuar gjatë Javës Kundër Korrupsionit tregon se Kosova ndodhet ende në një fazë të hershme përgatitore në luftën kundër korrupsionit dhe ka shënuar vetëm përparim të kufizuar.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë javës kundër korrupsionit publikoj raportin me titull “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit” thekson se Kosova është midis një faze të hershme të përgatitjes dhe një niveli të caktuar përgatitjeje në luftimin e korrupsionit dhe ka bërë përparim të kufizuar”, tha ai.
Ai shtoi se raporti nënvizon nevojën që Kosova të miratojë një Strategji Kombëtare kundër Korrupsionit, të përdorë më mirë legjislacionin ekzistues dhe të vazhdojë të forcojë cilësinë e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Raporti thekson se Kosova duhet të miratojë një Strategji Kombëtare kundër Korrupsionit, të përdorë më mirë legjislacionin ekzistues dhe të vazhdojë të forcojë cilësinë e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, tha Kabashi.
Edhe pse Kosova aktualisht renditet ndër vendet me rezultate më të mira në rajon, Kabashi tha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e vazhdueshme dhe prokuroria dhe gjykatat të kenë përkrahjen e duhur nga pushteti ekzekutiv.
“Kosova është aktualisht midis vendeve me rezultate të mira në rajon. Duhet pas parasysh se lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë permanente dhe prokuroria si dhe gjykata në anën tjetër duhet të kenë përkrahjen nga pushteti ekzekutiv përmes mbështetjes financiare e e cila mbështetje viteve të fundit ka munguar”, shtoi ai.
Demolli nga Lëvizja Fol: Raporti i KE-së tregon progres të kufizuar, Kosova duhet të forcojë sundimin e ligjit
Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL, në një prononcim për Front Online vlerëson se raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit.
“Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 konstaton se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit. Edhe pse vërehen disa avancime në reformimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e disa mekanizmave institucionalë, këto zhvillime nuk mjaftojnë për t’u konsideruar si progres substancial”, tha ajo.
Sipas Demollit ,Kosova renditet më mirë se disa vende të rajonit, por përparimi i saj duhet marrë me kujdes, pasi shpesh reflekton edhe rënien e performancës së vendeve të tjera.
“Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova renditet më mirë se disa prej tyre, duke treguar një pozicion relativisht më pozitiv në vlerësimet ndërkombëtare për nivelin e korrupsionit. Megjithatë, kjo duhet interpretuar me kujdes: në disa raste, përmirësimi relativ i Kosovës vjen jo vetëm si rezultat i progresit të saj, por edhe për shkak të rënies së performancës së disa vendeve të tjera të rajonit”, tha Demolli.
Demolli tha se ndonëse pozicionimi krahasues i Kosovës është më i favorshëm, mbetet thelbësore që vendi të intensifikojë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit.
“Ndonëse pozicionimi krahasues është më i favorshëm, mbetet thelbësore që Kosova të intensifikojë përpjekjet në forcimin e sundimit të ligjit dhe trajtimin efektiv të korrupsionit të nivelit të lartë, që të ketë një progres real e të qëndrueshëm”, shtoi ajo./Front Online