
Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Ali Gashi, për FrontOnline, ka paralajmëruar rrezik të madh financiar dhe social nëse buxheti i Kosovës për vitin 2026 nuk miratohet me kohë.
Ai tha se hyrja në vitin e ri pa buxhet do të krijonte pasiguri të thellë për pagat e punonjësve publikë dhe funksionimin e shërbimeve bazë.
“Mos votimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2026 është i dëmshëm sepse ne po futemi në vitin 2026 pa buxhet dhe do të viheshin në diskutim komplet paga e shërbyesve publik dhe shërbimet tjera, pagesat si në aspektin e mbulimit të shpenzimeve të pagesave sociale, por edhe pagesave tjera e që rrjedhimisht do të shkaktonin një turbulence shumë të madhe, financiare dhe Ekonomiko-sociale për ne si qytetarë”, deklaroi Gashi për FrontOnline.
Ai potencoi se pasojat do t’i preknin drejtpërdrejt anëtarët e sindikatës, duke paralajmëruar pasoja afatgjata.
“Ky mos votim i afekton drejtpërdrejt anëtarësinë tonë, shërbyesit tonë, sepse një numër i madh i tyre mund të kenë edhe kredi dhe nëse s’ka paga pas muajit shkurt, atëherë situata do të ishte shumë shqetësuese dhe me pasoja shumë të gjata”, u shpreh ai./Front Online
Mosvotimi i buxhetit për vitin 2026/ Paralajmërohen pasoja dhe veprime sindikale