×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Luksi i Qeverisë “Kurti”/ Rreth 2.5 milionë euro u shpenzuan sivjet për blerjen e veturave të reja zyrtare

    FrontOnline
    17 Nëntor 2025

    Për vetëm 9 muaj janë 2.5 milionë euro të shpenzuara. Kjo është shuma e përgjithshme e shpenzuar e institucioneve qendrore, Ministrive, Kuvendit dhe Presidencës, për blerjen e veturave të reja zyrtare gjatë periudhës janar-shtator 2025, raporton portali FrontOnline.

    Përpos veturave të reja njëashtu janë edhe miliona euro të tjera të shpenzuara për vetura me qira nga institucionet qendrore dhe lokale, shuma këto që janë barrë e rëndë për buxhetin e varfër të Kosovës.

    Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët e ekonomisë kritikojnë Qeverinë në detyrë, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, duke potencuar faktin se këto shpenzime milionëshe kanhë ndodhur kur Kosova është pa institucione qendrore dhe njëkohësisht paraqesin mungesë konsistence për retorikën antikorrupsion nga Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

    Shpenzime më të mëdha për blerjen e veturave gjatë këtij viti kanë bërë: Ministria e Financave dhe Ministria e Jashtme, raporton FrontOnline.

     

    Demolli nga Lëvizja FOL: Shpenzimi në vetura zyrtare është tregues i prioriteteve të gabuara të Qeverisë

    Drejtues të OJQ-së, Lëvizja FOL,  kanë kritikuar Qeverinë “Kurti” lidhur me shpenzimet prej 2.5 milionë euro për blerjen e veturave zyrtare.

    Mexhide Demolli-Nimani, drejtuese e Lëvizjes FOL, e ka cilësuar këtë si një shpenzim të panevojshëm dhe tregues të prioriteteve të gabuara të ekzekutivit.

    “Shpenzimin prej 2.5 milionë eurosh për vetura zyrtare nga Qeveria Kurti brenda 9 muajve, periudhë kjo në të cilën vendi është edhe pa institucione nga zgjedhjet e 9 shkurtit është një shpenzim i panevojshëm, sidomos në kontekstin aktual politik dhe ekonomik”, u shpreh ajo për FrontOnline.

    Sipas Demolli-Nimanit, ky veprim bie ndesh me retorikën anti-korrupsion të Vetëvendosjes.

    “Ky shpenzim tregon prioritete të gabuara dhe mungesë konsistence me retorikën anti-korrupsion, kur e dimë qasjen e LVV-së sa ishte në opozitë në raste të tilla. Në këtë periudhë jostabiliteti dhe mungese legjitimiteti të plotë, çdo shpenzim i madh duhet të shihet nëse është në përputhje me vendimet që mund të merr një qeveri në detyrë”, tha ajo.

    Ajo ka shtuar se këto mjete do të duhej të investoheshin në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

    “Këto mjete financiare do të duhej të dedikoheshin në fusha që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, sidomos sektorin e shëndetësisë ku çdo dite informohemi nga mediat për mungesa të shumta qoftë edhe të barnave nga lista esenciale”, deklaroi Demolli-Nimani për “Front Online”.

     

    Profesori i ekonomisë: Me 2.5 milionë euro do të mund të hapeshin tri kopshte publike, qeveritarët janë mediokër

    Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini ka hedhur kritika kundrejt Qeverisë Kurti për mungesë të planifikimit ekonomik dhe menaxhimit të dobët të buxhetit publik.

    Ai ka deklaruar për “Front Online” se shpenzimi prej 2.5 milionë eurosh në vetura zyrtare, është përdorur për qëllime fushate e marketingu politik.

    “Qeveria aktuale nuk bënë ndonjë planifikim afat shkurt, të mesëm apo afatgjatë se janë mediokër në fushën e ekonomisë. Shifra prej 2.5 milionë euro që i kanë shpenzuar kanë pasur interes që me ato vetura me dal në fushatë e marketing për me i bind njerëzit me votuar”, deklaroi Misini.

    Sipas tij, me këto mjete mund të ishin hapur tri kopshte publike, në të mirën e qytetarëve.

    Misini ka akuzuar Qeverinë në detyrë se kalkulon për grupe të caktuara që përfitojnë nga korrupsioni.

    “Me këto mjete të paktën 3 kopshte publike kanë pasur mundësi me i hap, për të cilën kish ndikuar në uljen e kostos për prind që kanë mundësi të vogla financiare për kopshte private. Ky raport na tregon që kjo qeveri është mediokër dhe pa ndonjë strategji dhe nuk punon në interesin e qytetarëve por kalkulon për grupet e caktuara që janë për interesa të korrupsionit”, u shpreh Misini për “Front Online”.

     

    Qorrolli: 2.5 milionë euro për vetura, barrë e panevojshme për buxhetin e shtetit

    Shpenzimi i 2.5 milionë eurove për blerjen e veturave zyrtare nga Qeveria në detyrë që udhëhiqet nga Albin Kurti, nga eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli po vlerësohet si barrë e panevojshme për buxhetin e shtetit.

    Sipas Qorrollit, ky lloj shpenzimi nuk krijon vlerë afatgjatë dhe dëmton hapësirën fiskale që mund të përdorej për zhvillim të qëndrueshme.

    “Shpenzimi prej 2.5 milionë eurosh për blerjen e veturave zyrtare nga qeveria paraqet një barrë të panevojshme për buxhetin e shtetit dhe tregon mungesë të prioritizimit të duhur fiskal. Në një periudhë kur vendi përballet me sfida ekonomike, inflacion, papunësi dhe nevoja të mëdha për investime në sektorë produktivë”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se fondet publike duhet të orientohen drejt projekteve që gjenerojnë përfitim të gjerë e jo për luks administrativ.

    “Ky lloj shpenzimi nuk krijon vlerë afatgjatë, dëmton hapësirën fiskale që mund të përdorej për qëllime zhvillimore apo investimet në energji të qëndrueshme. Fondet e taksapaguesve duhet të orientohen drejt fushave që gjenerojnë përfitim të gjerë publik dhe ndikim ekonomik afatgjatë, jo drejt luksit administrativ”, potencoi Qorrolli për “Front Online”.

     

     

     

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.