×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Dimër i Shtrenjtë/ Paralajmërohen çmime të larta të drurit e peletit, ZRRE-ja tregon nëse do të shtrenjtohet rryma

    FrontOnline
    20 Shtator 2025

    Në prag të hyrjes në sezonin e vjeshtës dhe dimrit kanë nisur edhe paralajmërimet për rritje të shpenzimeve të ngrohjes.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka lënë të hapur mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike gjatë muajve shtator–tetor, duke e arsyetuar me koston e lartë të importit dhe rritjen e konsumit.

    Se a do të ndryshojnë tarifat në sezonin vjeshtë-dimër për FrontOnline është përgjigjur  Zyra e Rregullatorit për Energji,  ku ka bërë të ditur se përcaktimi i tarifave të energjisë elektrike në Kosovë nuk bëhet nga furnizuesit, por kalon përmes një procesi të rregulluar dhe të mbikëqyrur nga vetë institucioni.

    Procesi i rregullt i shqyrtimit të tarifave zhvillohet nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të vitit 2025.

    Gjatë kësaj periudhe analizohen kostot e sistemit, gjendja e tregut dhe faktorët e jashtëm, përfshirë lëvizjet në bursat ndërkombëtare të energjisë.

    ‘’ Në përgjigje të pyetjeve tuaja lidhur me mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike gjatë sezonit vjeshtë–dimër, sqarojmë se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk përcaktohet në mënyrë të menjëhershme apo të njëanshme nga furnizuesit, por është rezultat i një procesi të rregulluar dhe të mbikëqyrur nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Çdo ndryshim i mundshëm i tarifave kalon nëpër një procedurë të rreptë, ku analizohen kostot e sistemit, gjendja e tregut të energjisë, si dhe faktorët e jashtëm që ndikojnë në çmim, përfshirë lëvizjet në bursat ndërkombëtare të energjisë. Vendimi përfundimtar merret nga Bordi i ZRRE-së, pas një procesi transparent që përfshin edhe konsultim publik’’, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për Front Online.

    Çdo diskutim për rritje të mundshme të çmimeve, sipas ZRRE-së,  konsiderohet spekulativ deri në përfundimin e procedurës dhe marrjen e një vendimi nga Bordi i ZRRE-së.

    Përqindja e një ndryshimi eventual të tarifave do të varet nga kërkesat e ndërmarrjeve të rregulluara dhe nga vlerësimi profesional i rregullatorit.

    ‘’Çdo diskutim mbi rritje eventuale është vetëm në nivel spekulativ, përderisa nuk ekziston një procedurë e finalizuar dhe vendim i Bordit. Po ashtu, përqindja e një rritjeje të mundshme nuk mund të parashikohet paraprakisht, pasi ajo do të varet nga kërkesat e parashtruara nga ndërmarrjet e rregulluara KOSTT, KEDS dhe KESCO dhe nga vlerësimi profesional i rregullatorit’’, thonë nga ZRrE.

     

    Sivjet një metër dru 50 euro, peleti deri 260 euro për ton

    Por as burimet tjera të ngrohjes nuk po ofrojnë lehtësim për qytetarët.

    Shitësit e druve dhe peletit për FrontOnline kanë deklaruar se një metër dru shitet aktualisht me rreth 50 euro, me mundësi rritjeje gjatë muajve të dimrit.

    ‘’Momentalisht është 50 euro, por me hyrjen në stinën e dimrit pritet të rritet edhe çmimi’’, ka thënë një shitës i drurëve për Front Online.

    Ndërkaq, peleti ka arritur në 260 euro për ton, ndërsa për blerjet me shumicë (2–3 tonë) çmimi është rreth 250 euro për ton, sipas tregtarëve në “Gorenje – Prishtinë”.

     

    Rexhepi: Nuk është koha dhe nuk shoh arsye për rritjen e çmimit të rrymës

    Njohësi i çështjeve energjetike, Vezir Rexhepi, ka thënë për FrontOnline se, megjithëse në prill çmimi i energjisë elektrike u rrit me 16,1%, ZRRE ka të drejtë të marrë vendime pa diskutim dhe të shqyrtojë situata emergjente lidhur me çmimin e rrymës.

    ‘’Në prill veçse është rritur prej 16,1% çmimi I energjisë elektrike , megjithatë ZRrE e ka të drejtën të marrë vendime pa diskutim dhe të shqyrtojë situata’’, deklaroi Rexhepi.

    Rexhepi thotë se dinamika e çmimeve mund të ndryshojë gjatë muajve për shkak të krizave ekonomike dhe faktorëve të tjerë, por duke pasur parasysh trendin e çmimeve në bursën ndërkombëtare, ai konsideron se aktualisht nuk është koha dhe situata për një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike.

    ‘’ Dinamika e çmimeve mund të ndryshojë gjatë muajve konsideroj për shkak të krizave ekonomike e të tjera por duke pasur parasysh trendin e çmimeve në bursën ndërkombëtare , konsideroj që nuk është koha dhe situata dhe mendoj që edhe nuk ka arsye të plotë që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike’’, tha ai për Front Online.

    Paralajmëron Mulaj: Do të ketë rritje të vazhdueshme të energjisë elektrike

    Njohësi i çështjeve të energjisë, Ismet Mulaj, paralajmëron se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pothuajse e pashmangshme për dy arsye kryesore.

    Së pari, Kosova nuk ka ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese, duke e bërë vendin të varur nga importi i energjisë. Së dyti, menaxhimi i dobët i termoelektranave aktuale ka krijuar efikasitet të ulët dhe humbje në prodhim.

    ‘’Kam paralajmëruar edhe më herët që do të ketë rritje të vazhdueshme të energjisë elektrike për dy arsye, e para që nuk kemi gjeneruar kapacitetet të reja do të thotë nuk kemi ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese, pra në mungesë të prodhimit Kosova varet nga importi dhe së dyti për shkak të keq menaxhimit të termoelektranave aktuale’’, tha për FrontOnline Mulaj.

    Mulaj shton se sektori përballet edhe me keq menaxhim nga institucionet përkatëse, përfshirë manipulime dhe keqpërdorime, duke u bërë kështu një tjetër faktor që nxit rritjen e çmimit të rrymës.

    ‘’Duhet shtuar edhe keq menaxhimin e këtij sektori nga institucionet përkatëse sepse si duket ka edhe manipulime e keq përdorime në këtë sektor’’, tha Mulaj

    Ai thotë se kjo situatë prek çdo familje në Kosovë, duke ulur motivimin e të rinjve, që shpesh zgjedhin të largohen nga vendi.

    ‘’Rritja e çmimit të rrymës një nga artikujt kryesor në secilën familje po i fut në depresion familjet dhe po i largon të rinjtë nga vendi duke ua humbur dëshirën të punojnë për këtë vend ‘’, tha ai për Front Online.

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.