
Që nga 1 qershori 2025, kompanitë e mëdha në Kosovë kanë dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, një hap që nuk është mirëpritur fare nga bizneset.
Shumë biznese, kanë shprehur shqetësim në lidhje me ndikimin negativ që ka sjellë dalja në tregun e hapur të energjisë.
Disa ekspertë dhe përfaqësues të industrisë kanë paralajmëruar se hapja e tregut mund të sjellë shtrenjtim të energjisë, humbje vende pune dhe madje edhe mbyllje të disa kompanive, veçanërisht atyre që janë të varura nga çmimet e larta të energjisë.
Rafuna: Kemi kompani që janë mbyllur, të tjera po lirojnë punëtorët pas daljes në tregun e lirë të energjisë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një prononcim për FrontOnline ka folur rreth pasojave të tregut të lirë energjetik, duke thënë se ky proces ka prodhuar efekte negative për ekonominë e vendit.
‘’Dalja në treg të lirë të energjisë elektrike i ka sfiduar bizneset , e ka dëmtuar edhe ekonominë por më së shumti qytetarin e Kosovës’’, tha i pari i OEK.
Sipas tij, bizneset tashmë po përballen me sfida serioze, deri në mbyllje apo riorganizim, gjë që ka nisur të reflektohet edhe me humbje të vendeve të punës.
‘’Kemi kompani e cila është mbyllur kemi edhe kompani të cilat u janë nënshtruar riorganizimit dhe kanë filluar ti lirojnë punëtoret por është vetëm muaji i parë e i dytë nëse shkon siç ka shkuar në të kaluarën duke u rrit çmimi i energjisë elektrike pa dyshim që shumë start up do të mbyllen’’, deklaroi Rafuna.
Ahmeti: Liberalizimi i energjisë trefishoi faturat, po anulon investime dhe po rrezikon vende pune
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka shprehur shqetësim për pasojat që ka shkaktuar dalja e kompanive të mëdha në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Ai thotë se efektet e para janë tashmë të dukshme dhe shumë shqetësuese për bizneset dhe ekonominë e vendit.
“Kostot e para të liberalizimit veç i kemi parë. Janë dy muajt e fundit, pra qershori e korriku, ku kanë ardhur faturat trefish më të shtrenjta se ato që ishin më herët ,pra kjo është kostoja e parë. Kostoja e dytë është që disa biznese i kanë ndërprerë totalisht planet e tyre për investime, që do të thotë mjetet e gatshme kanë humbur, janë anuluar shumica, disa prej tyre kanë marrë pezullim të përkohshëm, por gjasat janë të mëdha që të anulohen të gjitha”, tha Ahmeti për Front Online.
Ai thotë se rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë po e bën të pamundur për shumë kompani të funksionojnë normalisht.
Sipas tij, bizneset prodhuese janë më të goditurat, pasi kostoja e energjisë është faktor kyç për të konkurruar në treg.
“Ende pa filluar plotësisht liberalizimi, vetëm rritja prej 16,1% e çmimit të energjisë ka sjellë pasoja të rënda për prodhuesit. Rritja e çmimit të energjisë dhe tregu i lirë po shkaktojnë telashe, po rrezikojnë vende pune dhe biznese. Fatkeqësisht, situata pritet të rëndohet në muajt në vijim, me çmime edhe më të larta, që do të rrezikojnë ekonominë e vendit”, deklaroi ai.
Shahini : Tregu i lirë po i detyron bizneset e Kosovës 25 vjet pas luft*ës, të largohen nga vendi
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka ngritur shqetësimin se futja e bizneseve në tregun e lirë të energjisë ka pasur pasoja të rënda për sektorin prodhues dhe shërbyes.
Ai ka paralajmëruar se shumë kompani nuk po arrijnë të përballojnë rritjen e çmimeve dhe po shqyrtojnë transferimin e aktiviteteve të tyre jashtë Kosovës.
‘’ Futja me dhunë e bizneseve në tregun energjetik të lirë ka ndikuar negativisht te bizneset prodhuese dhe shërbyese dhe disa biznese nuk po mund ti përballojnë këto rritje të çmimeve dhe kanë paralajmëruar qe do të riaktivizojnë aktivitetet e veta prodhuese , përpunuese dhe shërbyese në ndonjë vend jashtë Kosovës’’, tha Shahini për FrontOnline.
Shahini e konsideron këtë një zhvillim të keq, pasi bizneset, 25 vjet pas luftës, po detyrohen të largohen nga vendi.
‘’Ky është lajm i keq për neve dhe na brengos shumë ky fakt se bizneset e Kosovës 25 vjet pas luftës po ikin nga Kosova’’, deklaroi Shahini.