
Nga 1 qershori 2025, të gjitha ndërmarrjet e mëdha në Kosovë janë të detyruara të furnizohen me energji nga tregu i lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ky hap është promovuar si reformë drejt konkurrencës dhe përputhjes me standardet evropiane, por ka nxitur pakënaqësi të mëdha në sektorin privat.
Bizneset kanë protestuar për shkak të çmimeve të larta, mungesës së furnizuesve dhe mungesës së përgatitjes institucionale.
Pas bllokimeve të rrugëve kryesore në fund të majit, më 11 qershor u mbajt një protestë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Pas pakënaqësive të bizneseve protestat pritët të vazhdojnë sërish.
Oda e Afarizmit: Thirrje për padi, protestat nuk përjashtohen ndaj vendimit për tregun e lirë
Drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me vendimin e ZRRE-së, sipas të cilit që nga 1 qershori 2025 të gjitha ndërmarrjet e mëdha janë të detyruara të furnizohen me energji nga tregu i lirë.
Ahmeti tha se Oda u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve të nisin padi në Gjykatën Komerciale, ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë e protestave.
“Krejt bizneseve u kemi bërë thirrje të bëjnë padi tek Gjykata Komerciale. Protestat nuk janë të përjashtuara mbetet me pa kur dakordohemi, pritem një reflektim nga ZRRe, kur Gjykata e konstatojë që janë bërë shkelje por nga ta nuk patëm reagim”, deklaroi ai.
Ai deklaroi se që nga hyrja në fuqi e vendimit asnjë biznes nuk është pajisur me faturë.
“Ende asnjë biznes nuk e ka marr faturën e parë nga momenti që është hyrë në liberalizim të tregut, asnjë biznes nuk e dinë se sa i ka kushtuar muaji i parë i bizneset të liberalizmit të tregut. Kjo është paqartësi e madhe lidhur me kostot”, u shpreh ai për Front Online.
Kreu i AKB-së: Paqartësi ligjore në tregun e lirë, bizneset në pasiguri të plotë
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka vlerësuar se situata aktuale në sektorin energjetik dhe vendimet gjyqësore të lidhura me të kanë krijuar paqartësi për bizneset dhe investitorët në Kosovë.
“Një situatë jo e këndshme për bizneset dhe investitorët në Kosovë. Disa vendime pro biznesit disa kundër këto janë nga Gjykata, ne jemi duke analizuar secilin vendim. Vendimet që i ka marr Gjykata për disa biznese që ia mbron të drejtën e tyre për të mos dal në tregun e hapur dhe që ZRRe i jep të drejtë në bazë të ankesave të disa organizatave ekonomike, kjo ka krijuar një mjegull se si të veprohet më tutje”, tha ai për Front Online.
Ai shtoi për “Front Online” se kjo mjegull vendimmarrëse po ndikon negativisht në ekonomi.
“Si shkak i kësaj, disa produkte janë shtrenjtuar, disa operator ekonomik janë duke riorganizuar organogramin e punëtorëve, kjo do të shkojë në disfavor të punësimeve të reja dhe ekonomisë së vendit”, shprehet Shahini.
“Asnjë Cent Më Shumë” paralajmëron rikthim të protestave pas konstituimit të institucioneve
Luan Hasanaj nga nisma qytetare “Asnjë Cent Më Shumë” për “Front Online” ka deklaruar se protestat janë pezulluar përkohësisht, në pritje të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve.
Ai thotë se nëse s’ka reagim, sërish do të vazhdojnë me protesta madhore.
“Protestat janë pezulluar përkohësisht për shkak të pritjes së konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve. Si të konstituohen, do t’u drejtohemi me kërkesat tona formale. Nëse nuk do të ketë reflektim apo reagim institucional, atëherë do të mobilizohemi sërish me protesta të mëdha dhe të koordinuara”, potencoi ai.
Ai kritikoi qeverinë aktuale për qasjen ndaj çmimeve të energjisë, duke thënë se ajo është vetë pjesë e vendimmarrjes që ka çuar në rritje të çmimeve.
“Qeveria aktuale janë vetë pjesë e vendimmarrjes që ka çuar në rritjen e çmimeve të energjisë. Për këtë arsye, nuk presim reflektim të sinqertë nga ana e tyre, përkundrazi që qytetarët po përballen me një heshtje të qëllimshme dhe të padrejtë”, tha tutje Hasanaj për Front Online.