Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, për krijimin e 75 mijë vendeve të punës nga Qeveria Kurti.
Reçica, e konsideron retorikë parazgjedhore këtë deklaratë, duke e vlerësuar se kanë bërë shumë premtime e pak realitet.
‘’Deklarata e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për krijimin e 75 mijë vendeve të reja të punës dhe uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.8% është tipike për retorikën e parafushatës zgjedhore, shumë premtime dhe pak realitet. Të gjithë e dimë se problemet e papunësisë dhe të tregut të punës në Kosovë nuk zgjidhen me deklarata të tilla’’ thotë ai.
Ish-ministri thotë se nëse analizohen rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, të publikuara në çdo vit, shihet një situate tjetër e cila është shumë komplekse dhe sfiduese.
‘’Nëse analizohen rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, të publikuara çdo vit dhe periodikisht gjatë vitit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si dhe gjendja faktike në terren, shohim një situatë shumë më komplekse dhe sfiduese sesa ajo që paraqitet nga qeveria në kuadër të parafushatës. Punësimet e përkohshme, kontratat afatshkurtra ose me kushte të pasigurta nuk ofrojnë stabilitet ekonomik për punëtorët dhe nuk përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre’’ potencon ai.
Reçica, thotë se deklaratat e tilla shpesh ndodhin para zgjedhjeve, për rregullim të imazhit publik.
‘’Shpesh, në periudha të ngjashme para zgjedhjeve, vendet e punës krijohen përkohësisht, me qëllim të përmirësimit të imazhit publik të qeverisë, pa ndonjë ndikim të vërtetë në mirëqenien e qytetarëve. Në vend që të publikohen shifra të përshtatshme në letër, qeveria duhet të përballet me realitetin, papunësia mbetet një problem i pazgjidhur dhe shumica e vendeve të punës nuk ofrojnë as siguri dhe as dinjitet për qytetarët tanë. Ky është një skenar i njohur, retorikë para zgjedhjeve dhe zhgënjim pas tyre’’ shtoj ai për FrontOnline.