Burimi: The Financial Times, Martin Wolf.
Çfarë do të nënkuptonte për ShBA-në dhe për botën rikthimi i Donald Trumpit? Optimistët mund të përmendin se çfarë ndodhi herën e fundit: Presidenca e tij, do të thoshin ata, ishte plot zhurmë e bujë. Por, nuk kishte shumë gjëra për t’u mbajtur mend. Qeverisi në mënyrë konvencionale, për dallim nga frika e shumëkujt. Për më tepër, në fund ai u mund nga Joe Bideni dhe iku. Është e vërtetë se u largua pa stil, por çfarë tjetër pritej? Gjithsesi, u largua. Pse nuk do të ndodhte e njëjta gjë nëse ai do të fitonte një mandat të dytë, ashtu siç sugjerojnë sondazhet?
Trumpi është ekspert i premtimeve boshe. Në vitin 2016, element qendror i fushatës së tij ishte “muri” për të cilin do të paguante Meksika. Në fund, nuk pati as mur dhe as para nga Meksika. Këtë herë, ai ka premtuar se do të arrestojë dhe dëbojë deri në 11 milionë emigrantë të paligjshëm. Operacioni i nevojshëm për këtë do të ishte tejet i kushtueshëm dhe kontrovers. Për më tepër, si do të dëboheshin miliona njerëz dhe ku do të dërgoheshin?
Edhe më qesharak është sugjerimi i Trumpit se duke rritur tarifat doganore mund të eliminojë tatimin mbi të ardhurat. Është budallallëk. Sipas një studimi të kryer nga Kimberly Clausing dhe Maurice Obstfeld, një tarifë prej 50 për qind mbi të gjitha mallrat, që maksimizon të ardhurat, do të sillte më pak se 40 për qind të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat. Humbja neto e të ardhurave do të shkatërronte shpenzimet nga të cilat varen votuesit e tij, të cilët janë kryesisht në moshë të shtyrë.
Megjithatë, mandati i dytë i Trumpit mund të jetë shumë më i rrezikshëm se i pari. Në vitin 2016, ai ishte i papërgatitur. Nga padituria, përfundoi duke punësuar njerëz që nuk kishin as synimet dhe as interesat e tij. Sot, Partia Republikane përbëhet nga besnikët që pranojnë se “udhëheqësi i madh” përcakton të vërtetën, siç ka vepruar për rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Projekti “2025” nga Heritage Foundation ka prodhuar gjithashtu plane për të nënshtruar qeverinë federale, ndërsa Gjykata e Lartë ka deklaruar se në funksionet e tij “zyrtare … Presidenti është mbi ligjin penal”. Ai do të ndihej i legjitimuar dhe do të kërkonte hakmarrje.
Çfarë mund të bëjë Trumpi pas kësaj? Ai mund të rrisë më tej deficitin e madh fiskal të ShBA-së dhe të ushtrojë presion mbi Rezervën Federale për të mbajtur normat e interesit të ulëta. Nëse arrin të caktojë njerëz besnikë në drejtimin e Departamentit të Drejtësisë, agjencive të inteligjencës dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), mund të ndëshkojë pa mëdyshje ata të cilët ai i percepton si armiq. Mund të justifikojë këto veprime si një shpërblim të barabartë për ndjekjet penale kundër tij. Gjithashtu, ka të ngjarë që do të falte rebelët e 6 janarit 2021, të cilët u përpoqën të pengonin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të fundit. Me kontrollin mbi Forcat e Armatosura, ai mund të shpallë lirshëm ligjin ushtarak. Për më tepër, do të mund të përdorte aparatin e qeverisë amerikane për të ushtruar kontroll mbi pjesët e vendit që konsiderohen si shumë të pavarura.
Në arenën ndërkombëtare, do të mund të zbatonte luftën e tij tregtare pa shumë pengesa, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën. Si komandant i përgjithshëm, ai mund të bëjë të pavlefshme angazhimet e NATO-s, thjesht duke treguar mungesë të dëshirës për të dërguar trupat në luftë. Mund të tërhiqet sërish nga të gjitha marrëveshjet klimatike, në një moment edhe më të ndjeshëm. Gjithashtu, mund t’ua vështirësojë funksionimin institucioneve si FMN-ja dhe Banka Botërore, dhe mund të mbështesë të djathtën ekstreme në Evropë. Ka gjasa (dhe ndoshta do) të braktisë Ukrainën.
Për ndikimin e tij të plotë në botë, duhet të bëhet dallimi mes pasojave direkte të veprimeve të tilla dhe atyre indirekte nga rikthimi i tij. Ky i fundit do të përbënte, mbi të gjitha, inkurajim për populistët e djathtë që kërkojnë pushtet, veçanërisht në Evropë. Me ShBA-në, bastionin e madh të demokracisë në shekullin XX, nën një kontroll autoritar, do të kishte ndryshim në ekuilibrin global kundër demokracisë liberale, jo vetëm në terma të fuqisë, por edhe në terma të kredibilitetit ideologjik. ShBA-ja, në fund të fundit, ka qenë modeli, sado i papërsosur, për shumicën e botës për një rend demokratik të bazuar në ligj. Zgjedhja e Trumpit për herë të dytë do të kishte një rëndësi të madhe.
Trumpi të paktën ka “prirje fashiste” dhe mund të quhet fashist. Në një intervistë në New York Times, John Kelly, ish-gjenerali i marinsave të ShBA-së është raportuar të ketë deklaruar se “sipas mendimit të tij, z. Trump përmbush përkufizimin e një fashisti dhe do të qeveriste si diktator po t’i jepej mundësia e nuk do të kishte asnjë kuptim më për Kushtetutën apo konceptin e sundimit të ligjit”. Për më tepër, Trumpi “nuk e pranoi kurrë faktin se ai nuk ishte njeriu më i fuqishëm në botë – dhe me pushtet e kam fjalën për aftësinë për të bërë gjithçka që ai dëshiron, kurdo që dëshiron”.
Sipas Timothy Snyderit, një historian i njohur për vitet 1930-‘40 në Evropë, fashizmi është “një kult i vullnetit mbi arsyen; është jeta brenda një Gënjeshtre të Madhe; është transformim i politikës në kult të një udhëheqësi që thotë një Gënjeshtër të Madhe dhe që është në gjendje të vendosë veten si një person vullneti i të cilit duhet të dominojë shoqërinë”. Për këtë, shton Anne Applebaum, një tjetër eksperte e njohur, Trumpi i ka përshkruar kundërshtarët e tij si “parazitë”, një karakteristikë kjo e retorikës fashiste (dhe staliniste). Kohët e fundit, “përrallat” rreth haitianëve si konsumatorë të manarëve përshtaten me denigrimin fashist të disa popujve si nën-njerëzorë.
Gabimet e bëra nga administrata e Bidenit ndihmojnë në shpjegimin e popullaritetit të Trumpit, veçanërisht dështimi për të kontrolluar imigracionin. Megjithatë, është e vështirë të kuptohet braktisja e parimeve thelbësore të eksperimentit të madh amerikan në qeverisjen republikane. Një pjesë e suksesit të atij eksperimenti i detyrohet precedentëve të krijuar nga themeluesi i saj, George Washington. Siç thekson Tom Nichols në The Atlantic, Washingtoni shërbeu si president për dy mandate dhe më pas u tërhoq. Trumpi është anti-Washington. Derisa Washingtoni ishte i njohur për integritetin e tij, Trumpi është i njohur për të kundërtën.
Kjo, pra, është me të vërtet një orë vendimtare. /Telegrafi/