Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Blerim Canaj, për FrontOnline, ka komentuar publikimin nga faqja e Ambasadës së Kosovës në Austri për një takim të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së jashtme, Donika Gërvalla, me bashkatdhetarët në atë shtet.
Canaj, thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën e sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
‘’Është legjitime me i takuar bashkatdhetarët, ka ndodhë me i taku bashkatdhetarët, jo domosdoshmërish ministrat, mirë po nuk ka ndodhur që gjatë fushatave zgjedhore kjo’’ thotë ai.
Ish-ambasadori, potencon se infrastruktura e shtetit po përdoret për fushata zgjedhore, duke e konsideruar këtë si puro fushatë politike.
‘’Ne po e shohim çdo ditë, që infrastruktura e shtetit po përdoret për fushata, ne na vijnë çdo ditë këto informata. Infrastruktura e shtetit, kurrë nuk është përdor sikur tash, por kjo çka po ndodhë është thjeshtë puro fushatë zgjedhore’’ tha Canaj.
Canaj, ka treguar nëse të kaluarën faqet e ambasadës janë përdorur për njoftime të tilla politike.
‘’Jo, absolutisht. Kjo s’ka ndodhë kurrë në të kaluarën që faqen e ambasadës me përdor kështu. Madje në të kaluarën ne kemi pasur puro të ndaluar ne si pjesë e stafit diplomatik të jemi edhe prezent në qoftë se ai ka qenë ndonjë organizim i ndonjë partie politike, sepse diplomati shihet si pjesë e shtetit dhe jo e partisë’’ u shpreh ai për FrontOnline.