Kreu i NISMA Social-Demokrate, Fatmir Limaj, ka publikuar një video të një banori të fshatit Majec, i cili fliste për vështirësite e rrugës Majec-Petrovë, para dhe pas asfaltimit e saj.
Sipas banorit, falë Limajt dhe punës së tij ishte asfaltuar rruga dhe po ashtu sipas tij, pas asfaltimit të asaj rruge ka ndryshuar edhe jeta e tyre, por është shkurtuar edhe koha e kalimit përmes asaj rruge.
Përmes këtij postimi, Limaj ka thënë se kishin filluar me iniciativa të vogla sa ishte ministër i infrastrukturës, për të bërë më pas projekte madhore, që dikur ishin vetëm ëndërr.
”Filluam me iniciativa të vogla dhe kaluam në projekte që dikur ishin vetëm një ëndërr, por që tani i zbatuam dhe i kthyem në realitet” ka shkruar Limaj.
Postimi i tij:
Në vitin 2008, gjendja për banorët e rrugës Majec-Petrovë ishte shumë e rëndë. Siç thekson një qytetar i asaj zone, ne e vëzhguam nga afër situatën e tyre dhe duke u mbështetur në hallet dhe vështirësitë e tyre, i kthyem ato në projekte që lehtësuan jetesën e tyre.
Këto ishin projekte të vogla, por me ndikim të madh në jetën e tyre.
Filluam me iniciativa të vogla dhe kaluam në projekte që dikur ishin vetëm një ëndërr, por që tani i zbatuam dhe i kthyem në realitet.
Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej këtë komunitet!