Me 6 nëntor të këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetin më të fuqishëm në glob, dhe shtetin i cili është garanci e demokracisë, ekonomisë dhe diplomacisë, do të mbahen zgjedhjet presidenciale.
Në garë për të parin e vendit me të fuqishëm në botë janë Donald Trump nga Partia Republikane dhe Kamala Harris nga Partia Demokratike, aktualisht zëvendës-presidente e SHBA-së.
Këto zgjedhje po shihen me shumë vëmendje dhe me një fokus nga e gjithë bota, sepse po mbahen në një kohë kur një pjesë e botës është nën luftë dhe derisa pjesa tjetër është duke luftuar mbi çështjet emigracionit, ekonomisë e çështje tjera.
Këto zgjedhje do i japin fund një fushatë e karakterizuar nga atentate, përplasje politike dhe ankth.
Fokus dhe vëmendje të veçantë këto zgjedhje po marrin edhe në Kosovë.
Personalitete që njohin procesin zgjedhor në Amerikë dhe po ashtu figura politike në vend, po i vlerësojnë këto zgjedhje si të rëndësishme, por në theks të veçantë po kërkojnë që të mos ketë favorizime dhe përcaktime publike, mbi atë se kush duhet të fitoj zgjedhjet në SHBA, pasi që për ta, dy taborët amerikane që garojnë atje, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm dhe determinues në etapa të ndryshme të historisë për Kosovën.
Deputeti i VV-së për zgjedhjet në SHBA: Rreshtimi më i mirë është forcimi dhe unifikimi i lobit shqiptar në SHBA
Deputeti i VV-së, Agon Batusha, për FrontOnline, ka folur sa i përket asaj nëse politika kosovare duhet të merr pozicionim rreth zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Ai thotë rreshtimi më i mirë do të ishte forcimi dhe unifikimi i lobit shqiptar në Amerikë.
‘’Mendoj qe rreshtimi me i mire eshte perqendrimi ne forcimin dhe unifikimin e lobit shqiptar atje qe te punojne dhe lobojne ne secilen administrate qe vjen pas zgjedhjeve te nentorit’’ shprehet deputeti Batusha për FrontOnline.
Haziri: Politika amerikane është mbi partiake, nuk duhet të ketë anime
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, për FrontOnline, ka folur rreth zgjedhjeve të cilat do të mbahen në SHBA me 6 nëntor.
Për të politika amerikane për shqiptarët është mbi partiake dhe se SHBA ka pasur rol të veçantë për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.
‘’Politika amerikane ka qenë mbi partiake. Ajo që quhet në Amerikë, mbi partizane sa i përket çështjes së shqiptarëve në Ballkan, Republikës së Kosovës në veçanti të drejtat e shqiptarëve në RMV e Mal të Zi e në Luginë, tu e përfshi edhe rolin e Shqipërisë në Ballkan. Politika amerikane duke fillu nga Bushi i vjetër, por edhe Bushi i ri si president, edhe demokratët nën udhëheqjen e Presidentit Klinton e deri tek Kamala Harris apo Presidenti Biden, kanë qenë të involvuar, kanë qenë të përfshirë dhe janë shkaktarë të lirisë dhe pavarësisë, e demokracisë të shqiptarëve në këtë pjesë të botë’’ thotë ai.
Haziri, thotë se tash e 35 vite, politika aktive në Kosovë, ka duartrokitur fituesit e zgjedhjeve në SHBA sepse ata kanë mbajtur fjalën për çështjen e shqiptarëve.
‘’Deri më tani 35 vite, tash politika aktive në Kosovë në rrethana të ndryshme, në kohë të ndryshme, seciles zgjedhje në Amerikë i ka apllaudu sepse ata kanë mbajtë fjalën për ne’’ shprehet Haziri.
Ai thotë se i vetmi kryeministri Albin Kurti, ishte politikani i cili nën petkun e udhëheqësit të shtetit, kishte shprehur qëndrim të hapur pro një kandidati për president të SHBA-ve, por që tani nuk është se ka marr pozicionim.
‘’I vetmi Albin Kurti ishte pozicionuar herën e kaluar dhe kësaj here është tërhequr prapa dhe nuk po flet, nuk po pozicionohet, të tjerët kanë qenë të kujdesshëm. Edi Rama më herët ka preferuar që demokratët të jenë në zyre ose shqiptarët që jetojnë në Amerikë të punojnë dhe lobojnë për të dyja kampet zgjedhore, por jo në politika që është prej këtu’’ shtoj Haziri.
Dyshi i LDK-së, potencon se Presidenti aktual i SHBA-ve, tash e 35 vite ka qenë në kulmin e mbështetjes për Kosovën por edhe për shqiptarët në përgjithësi.
‘’Biden tash e 35 vite është kulmi i mbështetjes së të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Shpresoj shumë që të ruhet kjo formulë edhe në administratën e Presidentit Trump apo Harris, por është vullnet i popullit amerikan’’ shprehet Haziri.
Haziri, potencon edhe marrëveshjen e 3 shtatorit e cila ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe SHBA-së.
‘’Mbi të gjitha nuk duhet me u harru, Marrëveshja më e mirë që shqiptarët e kanë mbërri është ajo e tre shtatorit, në mes të z.Hoti dhe Presidentit Trump, për tejkalimin e ngërçit dhe për njohjen e detyrueshme nga Serbia’’ tha ai.
Bislimi: Klasa politike të jetë e kujdesshme për zgjedhjet në SHBA, ne nuk e përcaktojmë fituesin
Aktivisti politik në SHBA dhe ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi ka vlerësuar se Kosovës i duhet qasje shtetërore dhe bashkëpunuese karshi SHBA-ve.
Bislimi thotë se dallimet që kanë shtetet mes vete nuk duhet të bëhen hendek në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
“Kosovës i duhet qasje shtetërore dhe kombëtare karshi SHBA-ve, dhe më bashkëpunuese. Neve pa SHBA s’do te ishim as ku jem sot. Dallime mund te kemi, por ato kurrë s’duhet të bëhen hendekë në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, ngase edhe nëse ne kemi të drejtë, në kohen e zhvillimeve dinamike ndërkombëtare në të cilën jemi tash, pragmatizmi dhe interesat madhore gjeostrategjike të SHBA-ve marrin prioritet. Kosova asnjëherë s’duhet të dal nga orbita e interesave gjeostrategjike amerikane ngase është kjo orbite që na solli deri tek liria e pavarësia”, u shpreh Bislimi.
Ish-deputeti Bislimi shprehet se klasa politike në Kosovë duhet të tregohet e kujdesshme se fituesin nuk e zgjedhin këta në zgjedhje por populli amerikan.
Bislimi thotë se esenciale për Kosovën është se kush do e marr kontrollin e Senatit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pavarësisht se kush fiton në zgjedhe, vendi ynë duhet t’i ruaj marrëdhëniet me SHBA, vlerëson Bislimi.
“Klasa jone politike, e sidomos ajo qeveritare, duhet të tregohet e kujdesshme ngase fundja ne nuk përcaktojmë fituesin; atë e bënë populli amerikan. Neve na duhet të ruajmë marrëdhënien unike e permanente me SHBA, qofshin demokratet apo republikanet ata qe udhëheqin me Shtëpinë e Bardhë apo Kongresin. E kuptoj se krejt fokusi është tek zgjedhja e presidentit, mirëpo ajo qe realisht do jetë esenciale për neve është edhe se kush do e marre kontrollin e Kongresit, pra të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësueseve”, deklaron Bislimi.
Matoshi: Politika kosovare nuk ka asnjë arsye për rreshtim për zgjedhjet në SHBA
Analisti politik, Halil Matoshi, për FrontOnline, thotë se politika kosovare nuk ka asnjë arsye që të rreshtohet pro apo kundër ndonjë kampi politik, sa i përket zgjedhjeve presidenciale në SHBA që mbahen me 6 nëntor.
‘’Politika kosovare nuk ka asnjë arsye për rreshtim’’ thotë ai.
Matoshi, potencon se nga viti 1986, politika amerikane për Kosovën ka qenë politikë mbi partiake.
‘’Ngase që nga viti 1986 kur është votuar Rezoluta e parë në Kongresin amerikan, e që dënonte shkeljen brutale të te drejtave të njeriut në Kosovë nga shteti jugosllav, politika amerikane karshi Kosovës është bi-partite’’ shprehet ai.
Matoshi, thekson se demokratë e republikanë në SHBA ishin unik për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
‘’Pra a republikanë e demokratë ishin unikë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës’’ tha ai.
Shoqata ‘’Miqtë e Amerikës’’: Partitë politike nuk guxojnë dhe nuk duhet të pozicionohen për zgjedhjet në SHBA
Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, për FrontOnline, është prononcuar në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në SHBA dhe pozicionin e politikës kosovare në këto zgjedhje.
Ai thotë se nuk duhet të ketë anime partiake mbi zgjedhjet në SHBA.
‘’Nuk duhet asnjë institucion e as ne të kemi anime partiake për SHBA-të’’ thotë ai.
Rexhepi deklaron po ashtu se të dyja partitë politike në SHBA kanë kontribuar shumë për Kosovën.
‘’Dy partitë politike kanë kontribuar shumë për çështjen e Kosovës’’ thekson ai.
Për të animet politike mbi këto zgjedhje nuk guxojnë dhe nuk janë të mira as për individët e as për partitë politike në Kosovë.
‘’Animet nuk guxojnë të jenë nuk janë të mira as për individët e as për shtetin. Kemi të bëjmë me një shtet aleat që edhe republikanët dhe demokratët kanë bërë shumë për Kosovën’’ shprehet Rexhepi për FrontOnline.
Kurti mbledhë mend nga e kaluara, nuk pozicionohet për zgjedhjet në SHBA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media është pyetur për zgjedhjet në SHBA dhe nëse do të përkrah kandidaten demokrate, Kamala Harris, siç kishte bërë në zgjedhjet para këtyre me presidentin Joe Biden.
Kurti ka thënë se i kryeministër i Republikës së Kosovës bashkëpunon me të gjithë udhëheqësit e të gjitha shteteve nga parti të ndryshme, derisa ka shtuar se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është social-demokrat dhe demokrat.
“Unë tash jam kryeministër i Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve nga të gjitha anët e spektrit politik, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Si kryetar i VV-së, jam social-demokrat, jam demokrat dhe s’kam asgjë të re të shtoj. Marr pjesë në të gjitha konferencat, samitet e partive simotra, edhe në Evropë edhe në botë. Edhe të partive të tjera, sic ishte ajo në Chickago në SHBA”, ka thënë Kurti.