Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është e përkushtuar në punën e saj bashkë me presidenten Vjosa Osmani për largimin e masave të BE-së të vendosura ndaj Kosovës.
Në një konferencë për media pas takimit me Osmani, ajo ka thënë se mirëpresin veprimin e Kosovës për lejimin e qarkullimit të mallrave serbe në pikën kufitare në Merdare.
“Është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku dhe siç e thash e kemi mirëpritur hapjen e kufirit, por edhe progresin e anëtarësimit në CEFTA, pas kësaj duhe të punojmë në hapa të mëtejshëm që te arrijmë në një pikë që të largojmë të gjitha masat”.
“Kjo do të ndihmojë që të binden shtetet e anëtare, siç e dini se edhe shtete anëtare duhet të japin pëlqimin e tyre për çdo hap, kështu që unë dhe presidentja Vjosa Osmani jemi shumë të përkushtuara që t’i gjejmë të gjithë hapat e nevojshme që t’i arrijmë këto qëllime të përbashkëta”, ka thënë Von der Leyen.