×
  • Lajme
  • Lajme

    Ka filluar takimi i Lajçakut me Bislimin, nuk dihet nëse do të ketë edhe takim trepalësh

    FrontOnline
    24 Tetor 2024

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen më 24 tetor në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

    Njësoj si më herët, rundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Më pas, ai nisi takimin me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.

    Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, tha se “koreografia do të jetë e zakonshme, BE-ja gjithmonë synon të ketë takime trepalëshe, por kjo do të varet nga vullneti i palëve”.

    Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.

    Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.

    Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

    Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

    Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut.

    Nga Rubrika
    Lajme24 Tetor 2024
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se zgjidhja në sektorin e energjisë elektrike nuk është e thjeshtë, por tha...
    Lajme24 Tetor 2024
    Deputeti i PDK’së, Ferat Shala, në seancën e jashtëzakonshme për “skandalet në KEK”, ka thënë se në këtë seancë do të duhej...
    Lajme24 Tetor 2024
    Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë dhe deputetët e VV-së për mospjesëmarrje në debate të thirrura nga...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Tetor 2024
    Një banesë është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Pocestë të Maliqit. Zjarrfikësit kanë dalur...
    Lajme24 Tetor 2024
    Sot në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për “skandalet në Korporatën Energjetike të...
    Lajme24 Tetor 2024
    Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita lidhur me “skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës. As në këtë seancë, deputetët...
    Lajme24 Tetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduanin. Në takim, siç njofton KFOR-i, komandanti ka nënvizuar...
    Lajme24 Tetor 2024
    Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar sot duke kërkuar rritjen e pagave. Kërkesë tjetër e tyre ka qenë...
    Vip24 Tetor 2024
    Në një intervistë për emisionin “Ndryshe”, Olta Gixhari u pyet për mundësinë e skenave të reja të dashurisë mes saj dhe Luiz...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.