×
  • Lajme
  • Lajme

    Tollovia në Merdare u kushton bizneseve

    FrontOnline
    21 Tetor 2024

    Dy javë pasi Kosova e hoqi pjesërisht ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, kolona prej kilometrash në anën serbe të pikës kufitare Merdare nuk është duke u zvogëluar.

    Në kolonë presin disa ditë edhe transportuesit që janë vetëm transit nëpër Kosovë, ose transportojnë mallra që nuk kanë origjinë nga Serbia.

    Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane në Kosovë tha se “do të dëshironte që mallrat të lëviznin më shpejt përmes pikës kufitare”, por theksoi se rikthimi i importit direkt nga Serbia në Kosovë është një “arritje e rëndësishme”.

    “Para së gjithash, është e rëndësishme të pranohet se vendimi [për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia] është duke u zbatuar”, tha Ambasada gjermane, duke shtuar se duhet bërë më shumë punë për lëvizjen më të shpejtë të mallrave në kufi.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

    Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.

    Në vendkalimet e tjera u paralajmërua se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.

    Ambasada gjermane tha se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.

    Përndryshe, Kosova thekson se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, në mes të korrikut të vitit 2023, u mor për “arsye sigurie”, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.

    Më 17 tetor, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, bëri përgjegjëse autoritetet e Kosovës për krijimin e kolonave të kamionëve në Merdare, duke thënë se ato po bëjnë gjithçka “për ta vështirësuar importin e mallrave serbe”.

    Ai tha se “bëhen ekzaminime të gjata të panevojshme, vetëm për t’i nervozuar njerëzit”.

    Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për t’i komentuar këto pretendime, si dhe për të shpjeguar se përse importimi apo transiti në Merdare po zhvillohet me vështirësi.

    Ngjashëm, nuk u përgjigj as Dogana e Kosovës.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it, Oda Ekonomike e Serbisë tha se qarkullimi i lirë i mallrave, aktualisht, është i vështirë në terren dhe se heqja e pjesshme e ndalesës për importin e mallrave nga Serbia, ka pasur kundër-efekt – në vend të qarkullimit të lirë të mallrave, ka bllokadë në Merdare.

    Kush është përgjegjës për kolonën prej disa kilometrash?

    Aleksandar Radovanoviq, kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal në Odën Ekonomike të Serbisë, konsideron se Dogana e Kosovës po punon ngadalë, me “urdhrin e autoriteteve të Kosovës”, për ta vështirësuar importin e mallrave nga Serbia.

    Ai thekson se para ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, në Merdare kanë hyrë mesatarisht rreth 250 kamionë në ditë, ndërsa që nga heqja e ndalesës, më 7 tetor, në Kosovë kanë hyrë 30 deri në 40 kamionë.

    Dogana e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë më 14 tetor se, mesatarisht brenda ditës, në Kosovë hyjnë tetë kamionë me mallra nga Serbia.

    Mirëpo, më 18 dhe më 21 tetor, Dogana nuk iu përgjigj pyetjeve se përse kamionët që transportojnë lëndë të parë nga Serbia, duhet të kalojnë ekskluzivisht në vendkalimin në Merdare, siç i thanë REL-it disa transportues dhe Oda Ekonomike e Serbisë.

    Dhjetë ditë pas ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, në korrik të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e ndryshoi vendimin e saj dhe lejoi vetëm importin e lëndëve të para nga ky vend.

    Por, Sadri Selimi, i cili importon grurë nga Serbia në Kosovë, thotë se që nga 7 tetori, autoritetet kosovare lejojnë importin e lëndëve të para vetëm përmes Meradres dhe se edhe ato i nënshtrohen një kontrolli të detajuar – çfarë nuk ishte praktikë më herët.

    Për situatë të ngjashme flet edhe Radovanoviq:

    “Lëndët e para janë shpërndarë normalisht gjatë gjithë kohës, kanë mundur të hyjnë në të gjitha vendkalimet dhe papritmas edhe kjo bëhet çështje sigurie”.

    Radovanoviq vlerëson se nuk ka vullnet politik që qarkullimi i lirë i mallrave të ekzistojë realisht në terren.

    Cila është zgjidhja?

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se autoritetet e Kosovës duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre në Merdare, në mënyrë që të zvogëlohet kolona e transportuesve që presin me ditë të tëra për të kaluar kufirin.

    Ai, gjithashtu, beson se kontrolli i detajuar i sigurisë, mund të kryhet manualisht në vendkalimet e tjera, derisa të mbërrijnë skanerët.

    Sipas tij, situata aktuale “nuk ka kuptim”.

    Nëse nuk ndërmerret asgjë, thotë Shahini, transportuesit dhe kompanitë do të kenë humbje të madhe financiare, e cila do të shkaktojë rritje të çmimeve.

    “Aty [në Merdare] ka mallra që prishen, ka mallra që transportohen në vende të tjera, kështu që ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt. Biznesmenët kanë humbje, për shkak të pritjes. Çdo ditë kushton dhe askush nuk përfiton”, thotë Shahini.

    Radovanoviq, në anën tjetër, thotë se ka një interesim të madh të biznesmenëve kosovarë dhe serbë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, por se, aktualisht, po u dërgohet mesazhi se “një gjë e tillë nuk është e dëshirueshme”.

    “Kur i mbani shoferët e kamionëve për disa ditë në kushte që nuk janë të denja për njeriun, asnjë transportues nuk do ta pranojë ofertën e një prodhuesi që dëshiron të dërgojë mallra në Kosovë”, thotë ai.

    Produktet nga Serbia, prej vitesh, janë ndër më dominueset në tregun kosovar.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova importoi mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 372 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 kjo vlerë ishte gati 199 milionë euro./rel

    KEDS njofton për punimet në rrjet, në këto vende do të ndalet rryma
    Nga Rubrika
    Lajme21 Tetor 2024
    Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se vizita e O’Brien-it në Kosovë ka...
    Lajme21 Tetor 2024
    Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e...
    Lajme21 Tetor 2024
    Për të martën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell gjatë ditës, ndërsa në orët e mëngjesit pritet lokalisht të ketë mjegull...
    Të tjera
    Vip21 Tetor 2024
    Vullneti është shprehur me ironi se nuk dëshiron të merret me fansa të këngëtarit Gold AG, derisa ka thelluar edhe më tej...
    Vip21 Tetor 2024
    Gazetari Vullnet Krasniqi ka dhënë komente lidhur me përplasjen që pati me aktorin Rrezart Veleshnja. Krasniqi tha se për të, Rrezi nuk...
    Vip21 Tetor 2024
    Burimi nuk ka pranuar të viktimizohet sonte me rastin e një momenti kur Rezarti e imitonte në një situatë ndërsa ai vepron....
    Vip21 Tetor 2024
    Në Prime të Big Brother Vip Kosova po vazhdon të diskutohet lidhur me debatin mes aktorit Rrezart Veleshnja dhe Gresës. Kësaj radhe,...
    Vip21 Tetor 2024
    Në debatin Rezi-Gresa, është përfshirë edhe banorja tjetër, Xheneta e cila poashtu ka pasur debat me Gresën Xheneta thotë se nuk ia...
    Vip21 Tetor 2024
    Po vazhdon debati brenda shtëpisë së Big Brother mes dy konkurrentëve, Vullnetit dhe Rrezart Veleshnjës. Sipas gazetarit Krasniqi, Rrezi po shkon në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.