Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kritikoi ashpër vendimin e Qeverisë “Kurti” për heqjen e kufizimeve ndaj mallrave serbe. Ai vlerësoi se Kryeministri Kurti, me taktikat e tij, po e sjell Serbinë gjithnjë e më afër Kosovës, duke theksuar se ky pushtet ka dështuar në raportin e dialogut.
‘’ Kryeministri Kurti, me taktikat dhe lojërat e tij të vazhdueshme, vërtet dalëngadalë po e sjellë Serbinë në Kosovë’’, tha Lekaj për FrontOnline.
Lekaj theksoi se në tavolinën e negociatave nuk janë mbrojtur temat e rëndësishme për vendin, duke përmendur lëshimet për asociacionin dhe urën e Ibrit, si dhe tani heqjen e kufizimeve për mallrat serbe.
Ai e quajti të dhimbshme dhe jo të drejtë që Qeveria të largohet nga kufizimet, kur vendi është mbushur me importe nga Serbia.
‘’ Ky pushtet ka dështuar në raportin e dialogut, sepse në tavolinën e negociimit nuk kanë arritur ta mbrojnë çdo temë të rëndësishme të Kosovës. Prandaj janë bërë lëshime me Asociacionin, Urën e Ibrit, dhe tani në fund largimin e kufizimit për mallrat serbe që hyjnë në vend. E dhimbshme dhe jo e drejtë që Qeveria Kurti të largojë kufizimet ndaj mallrave serbe, ku vendi ynë është mbushur gjithandej me importe nga Serbia’’ tha Lekaj.
Lekaj kërkoi që Qeveria të jetë e kujdesshme në marrëdhëniet me Serbinë, duke nënvizuar se lëshimet e mëparshme nuk duhet të vazhdojnë.
‘’ I lutem pushtetit që të jenë të kujdesshëm në vazhdimësi ndaj Serbisë sepse mjaft kemi bërë lëshime përballë tyre’’, përfundoi Lekaj.
Hyrja e mallrave serbe/ Rafuna: Veprim i drejtë, por i dëmton bizneset e Luginës