×
  • Opinione
  • Opinione

    A do të ngrihet më në fund populli i Iranit në një “Vjeshtë Persiane”?

    FrontOnline
    02 Tetor 2024

    Nga: Mark Almond, drejtor i Institutit të Hulumtimit të Krizave në Oksford / The Independent

    Vëmendja e ndërkombëtarëve ishte përqendruar te ndikimi i mundshëm i vrasjes së kreut të Hezbollahut dhe te mënyra se si Republika Islamike e Iranit do të reagonte ndaj përshkallëzimit dramatik të përfshirjes së Izraelit në Liban. Pak vetë i kanë kushtuar vëmendje asaj që mund të ndodhë brenda vetë Iranit.

    Baza kyçe e autoritetit të liderit iranian, Ali Khamenei, ka qenë aftësia e regjimit të Ajatollahut për të projektuar pushtetin jashtë vendit, si një mënyrë për të frikësuar kundërshtarët e brendshëm. Deri javën e kaluar, sponsorizimi i Teheranit për grupet paraushtarake radikale shiite, nga Libani deri në Jemen, dukej se tregonte se Republika Islamike ishte duke marshuar përpara.

    Vrasja e Hassan Nasrallahut të Hezbollahut dhe komandantëve kryesorë, së bashku me këshilltarët e Gardës Revolucionare Iraniane, ka shkatërruar ndjenjën e pathyeshmërisë të promovuar nga regjimi islamik.

    Iranianët laikë që refuzojnë kodet e rrepta të veshjes të Republikës Islamike dhe janë cinikë ndaj ngatërrimeve të parullave fundamentaliste, ndërkohë që për elitën dhe fëmijët e tyre bëhen përjashtime nga rregullat e Sheriatit, kanë festuar rënien e Nasrallahut.

    Rrezik për mullahët paraqet baza e pakënaqësisë mes iranianëve të zakonshëm që vuajnë mungesat e mallrave dhe hiperinflacionin për shkak të luftës ekonomike me Perëndimin mbi politikën e jashtme të regjimit dhe programin e tij bërthamor. Shumë njerëz ankohen se po paguajnë çmimin e sanksioneve perëndimore, ndërkohë që regjimi përdor të ardhurat e tij nga nafta për të financuar përfaqësuesit jashtë shtetit, në vend që të subvencionojë të varfrit në Iran – pikërisht ata njerëz që dikur ishin baza e tij.

    Forcat e mullahëve kanë shtypur valët e demonstratave që nga viti 2009, kur i ashtuquajturi “Revolucioni i Gjelbër” doli në pah. Që atëherë, zgjedhjet iraniane janë dëmtuar nga akuzat për mashtrim dhe sigurisht që ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve, duke bërë me dije për kolapsin e legjitimitetit të regjimit.

    Ky mund të jetë “krimbi” që do të hajë gatishmërinë e mbështetësve të linjës së ashpër për t’u nënshtruar ose gjithashtu për të rritur gatishmërinë e njerëzve për të duruar, nëse më në fund ata mendojnë se kontrolli i regjimit mund të thyhet.

    Diskreditimi i Gardës Revolucionare të regjimit dhe dështimi i shërbimit të tij të inteligjencës për të parandaluar vrasjet izraelite, si ajo e Ismail Haniyehut të Hamasit në Teheran, vetëm mund të dëmtojë efektivitetin dhe besueshmërinë e tyre.

    Në këtë kaos të paqëndrueshmërisë, doli apeli i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, drejtuar iranianëve si “persianë” që duhet të çlirojnë veten. Në një videoklip tre-minutësh në anglisht, të cilin ai e përshkroi si një adresim për popullin iranian, ai i fajësoi liderët e tyre për zhytjen e Lindjes së Mesme “më thellë në luftë”, duke thënë se qeveria e tyre po e afron vendin e tyre “më afër humnerës” dhe se përmbysja e regjimit mund të vijë më shpejt sesa mendojnë.

    Irani ka një histori të pasur dhe të lashtë, shumë kohë përpara adoptimit të Islamit pas pushtimit nga arabët të cilët mundën sundimtarët e tyre zoroastrianë 1350 vjet më parë. Kishte lidhje pozitive midis hebrenjve të lashtë dhe perandorit të parë pers, Kirit, i cili i çliroi ata nga robëria në Babiloni. Izraeli shpreson të kultivojë identitetin joarab të iranianëve si një mënyrë për të theksuar se çështjet arabe, si Palestina, ajatollahët i vendosin përpara interesit kombëtar të iranianëve që nga rënia e Shahut në vitin 1979.

    Ngatërrimi i pengesave të huaja dhe vështirësive ekonomike mund të prodhojë një variant të kryengritjeve popullore të Pranverës Arabe në Iran – ndoshta një Vjeshtë Persiane.

    Megjithatë, duhet të kujtojmë përkeqësimin e Pranverës Arabe pas optimizmit të hershëm të vitit 2011. Dolën luftimet e brendshme politike dhe ndarjet sektare, duke prodhuar regjime të reja autoritare në Tunizi dhe Egjipt dhe luftë civile në Libi, Siri dhe Jemen. Do të ishte naive të supozohej se ndryshimi i regjimit në Iran do të sillte domosdoshmërisht harmoni, demokraci dhe prosperitet.

    Është e kuptueshme që njerëzit do të shpresonin se gjithçka do të ishte më e mirë sesa regjimi që ka krijuar një përzierje kaq distopike të fundamentalizmit dhe cinizmit.

    Ndryshimi i regjimit do t’i jepte fund sanksioneve dhe do t’i jepte një qeverie të re qasje në të ardhurat nga nafta dhe gazi, plus investimet e huaja që mund të ringjallnin ekonominë iraniane. Por, shteti iranian mund të përballet me shpërbërje nëse pakicat e tij etnike – kurdët dhe arabët në perëndim, si dhe baluçët në juglindje – e shohin kolapsin e regjimit të ajatollahëve si momentin për t’u shkëputur nga vendi. Kjo mund të destabilizojë shtetet fqinje.

    Pakica më e madhe e Iranit, azerët, që përbëjnë një të tretën e popullsisë, ndajnë kufirin me Azerbajxhanin ish-sovjetik. Deri tani ata janë rreshtuar me Iranin dhe udhëheqësit e Republikës Islamike, përfshirë Khamenein, të cilët kanë lidhje familjare azere. Por, nëse shiizmi pushon së qeni faktori integrues dhe lidhjet familjare me një regjim të rënë nuk mbajnë më fijet e kontrollit në Teheran, azerët mund të kërkojnë ndarje.

    Një Azerbajxhan i pavarur ish-iranian, do të ishte i rrezikshëm për aleatin rajonal të Izraelit, Azerbajxhanin ish-sovjetik, pasi popullsia e tij do të ishte pesë herë më e madhe dhe kryeqyteti i tij, Tabrizi, është një qendër më e lashtë e kulturës azere sesa Baku.

    Nuk përjashtohet rreziku që vetë nacionalizmi militant iranian të ngrihet nga rrënojat e Republikës Islamike.

    Ajo që e bëri regjimin e ajatollahëve të frikshëm ishte aftësia e tij për të sintetizuar fundamentalizmin shiit me patriotizmin perandorak iranian. Nëse shtylla islamike shembet nga zhgënjimi popullor për paaftësinë, korrupsionin dhe dështimin e jashtëm të mullahëve, iranianët mund të kthehen te nacionalizmi. Ata nuk do të ishin kombi i parë që do të çlirohej nga një ideologji shtypëse për të rënë te një tjetër.

    Por, të paktën është koha që iranianët të bëjnë gabimet e tyre lirshëm. Kjo vjeshtë mund të jetë shansi i tyre. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.