Në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi se bashkëpunimi rajonal është kyç për përparimin e rajonit, jo vetëm në aspektin e partneritetit, por për gjithë procesin e Ballkanit Perëndimor.
Në komunikaten për media thuhet se Gërvalla theksoi se përparimi drejt integrimit evropian kërkon përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të Procesit të Berlinit, siç thuhet, me fokus në katër marrëveshjet të cilat mundësojnë katër liritë themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
“Implementimi i këtyre marrëveshjeve nga të gjitha shtetet do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit”, thuhet tutje në komunikatë.
Ministrja Gërvalla gjithashtu bëri thirrje që urgjentisht të hapen arkivat dhe të mbyllet kjo plagë e hapur për familjet e personave të zhdukur me dhunë.