Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, deklaroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të kontribuar aktivisht në luftën kundër ISIS-it dhe promovimin e shoqërive të hapura dhe harmonike ndërfetare.
Hasani ndodhet në Uashington, ku mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të ‘Koalicionit Global Kundër ISIS-it’, nën kryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në përkujtim të 10-vjetorit të ‘Koalicionit Global’ për të mposhtur ISIS-in.
Në këtë aktivitet, i cili u drejtua nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken morën pjesë ministrat e Jashtëm të disa vendeve anëtare të koalicionit për të trajtuar çështje me rëndësi në kuadër të luftës ndaj ISIS-it.
Takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të ‘Koalicionit Global të Luftës Kundër ISIS-it’, është një kontribut tjetër i rëndësishëm në orientimin, forcimin, bashkimin e përpjekjeve globale, dhe një përgjigjeje gjithëpërfshirëse dhe të harmonizuar ndaj këtij shqetësimi, me të cilin përballen shoqëritë e vendet./ATSh