×
  • Opinione
  • Opinione

    Bombat vdekjeprurëse do ta shndërrojnë Libanin në një Gazë tjetër: Netanyahu duhet të frenohet që tani

    Simon Tisdall
    26 Shtator 2024

    Nga: Simon Tisdall / The Guardian

    Benjamin Netanyahu duhet të ndalet. Tmerri që po ndodh në Liban është një tjetër krim që i shtohet të gjitha krimeve të tjera. A do të qëndrojnë vërtet pasive Britania, ShBA-ja, OKB-ja dhe të gjithë të tjerët që supozohet se kujdesen për jetën e civilëve, të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri i pakontrolluar i Izraelit e bën këtë përsëri? Kjo perspektivë tronditëse është e pabesueshme.

    Në këtë kontekst, “përsëri” do të thotë që Netanyahu po e kthen Libanin Jugor, ndoshta të gjithë vendin, në një lloj Gaze të dytë. Më shumë se 41 mijë palestinezë në Gazë, kryesisht civilë, kanë vdekur që nga mizoritë e Hamasit më 7 tetor. Të hënën, gati 500 njerëz u vranë nga forcat izraelite në Liban, përfshirë shumë fëmijë. Dhjetëra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre. Sa të pafajshëm të tjerë do të vrasë ky njeri përpara se të largohet nga pushteti?

    Netanyahu thotë se masakra e fundit është e nevojshme për të “rikthyer ekuilibrin e sigurisë”. Por, vetë Netanyahu është i paekuilibruar. Me urdhrin e tij të prerë për evakuim të menjëhershëm për banorët e Libanit Jugor – qytetarë të një vendi sovran – ai sinjalizoi se sulmet e paprecedentë ajrore të Izraelit do të intensifikohen edhe më tej. Mund të pasojë një inkursion tokësor ushtarak.

    Kjo nuk pati sukses më 2006 dhe nuk do të ketë sukses as tani. “Strategjia” e Netanyahut, si gjithmonë, është vetëshkatërruese. Pavarësisht 1300 sulmeve izraelite të së hënës, Hezbollahu po hedh më shumë raketa se më parë në Izrael dhe po e zgjeron rrezen e tyre të veprimit. Banorët e zhvendosur izraelitë nuk mund të kthehen në mënyrë të sigurt – që është gjoja synimi i tij kryesor. Dhuna lind dhunë. Nuk sjell siguri, vetëm më shumë urrejtje dhe hakmarrje.

    Si zakonisht, Netanyahu po dërgon mesazhe të ngatërruara. Çfarë të besosh? Ai pretendon se operacioni ka një qëllim të përgjithshëm të kufizuar: të degradojë Hezbollahun dhe ta largojë atë nga kufiri, në veri të lumit Litani. Ai pretendon se po kujdeset për civilët libanezë, ashtu siç pretendon se po kujdeset për pengjet izraelite të mbajtur nga Hamasi që nga 7 tetori – shumë prej të cilëve kanë vdekur që atëherë në mënyrë të mjerueshme.

    Por, në të vërtetë, pasi ka dështuar në mënyrë të tmerrshme në objektivin e tij delirant për të shkatërruar Hamasin, Netanyahu po krijon qëllimisht një front të dytë duke përshkallëzuar konfrontimin me Hezbollahun – pikërisht atë që diplomatët amerikanë kanë kaluar muaj duke u përpjekur ta parandalojnë. Sulmet e javës së kaluar me pejxherë dhe uoki-toki dhe vrasjet e komandantëve kryesorë ishin preludi. Përfundimi: vetëm “lufta e përjetshme” e mban atë në pushtet.

    Najib Mikati, kryeministri i Libanit, nuk ka asnjë dyshim: Netanyahu duhet të ndalet. “Vazhdimi i agresionit izraelit ndaj Libanit është një luftë shfarosëse në çdo kuptim të fjalës”, ka thënë ai. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Asamblesë së Përgjithshme dhe “vendeve me ndikim” që të veprojnë për të parandaluar thellimin e masakrës.

    Dritat e kuqe paralajmëruese pulsojnë kudo. Forca paqeruajtëse e OKB-së në Liban thotë se po afrohet një përshkallëzim rajonal “shkatërrues” mes asaj që e quan fushata më intensive e bombardimeve izraelite në dekadat e fundit, duke shtuar se sulmet izraelite janë “jo vetëm shkelje e ligjit ndërkombëtar, por mund të përbëjnë krime lufte”.

    Irani, i cili përkundër kërcënimeve të veta ka treguar përmbajtje të papritur pasi Izraeli vrau një lider të lartë të Hamasit në Teheran në korrik, akuzon Netanyahun se qëllimisht kërkon një luftë më të gjerë, të cilën pretendon se nuk e dëshiron. “Çdo ditë, Izraeli po kryen më shumë mizori dhe po vret gjithnjë e më shumë njerëz”, ka thënë presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian. Ai gjithashtu ka shtuar: “Ne mashtrojmë veten nëse mendojmë se dikush do të jetë fitimtar në një luftë rajonale”.

    Hezbollahu ka qenë i qartë gjatë gjithë kohës. Ai thotë se do të ndalojë lëshimin e raketave kur të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gazë, por jo më parë. Netanyahu thuhet se në shumë raste ka bllokuar një marrëveshje të tillë. Megjithatë, ambasadori i Izraelit në Mbretërinë e Bashkuar këmbëngul – në programin “Today” të BBC-së – se gjithçka ka të bëjë me kërcënimin terrorist në veri. Terrori i kujt, Tzipi Hotovely? I tyre apo i juaji? Vazhdojnë mohimi dhe çorientimi zyrtar izraelit, duke marrë mësime nga lart.

    “Fjalimet dhe bisedat e fundit të Netanyahut me oficerët e lartë të IDF-së [Forca Mbrojtëse e Izraelit] tregojnë se ai nuk është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje [armëpushimi], të cilën e kundërshtojnë partnerët e tij në ekstremin e djathtë”, shkroi komentatori i “Haaretz”-it, Amos Harel. “Fati i tij personal ka përparësi ndaj fatit të pengjeve. Ai ka vendosur të vë në bast gjithçka, ose pothuajse gjithçka … në një lëvizje ambicioze që do të dëmtojë Hezbollahun dhe ndoshta do të ndikojë në mënyrë indirekte te Hamasi”.

    Netanyahu duhet ndalur. Por, kush do ta bëjë këtë? Jo presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i cili do të thotë sërish këtë javë në OKB se e ka një plan – por, në praktikë, e ka trajtuar krizën në mënyrën më të keqe të mundshme. Ai shqetësohet se përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme mund të dëmtojë shanset e Kamala Harrisit dhe të demokratëve në zgjedhjet e nëntorit. Pra, pse ai nuk ndërhyn? Sepse shqetësohet më shumë për perceptimin që mund të krijohet se ai është kundër Izraelit.

    Duke pasur parasysh qëndrimin e dobët të Uashingtonit, mos prisni që qeveria e Keir Starmerit të bëjë diçka domethënëse – diçka si pezullimi i të gjitha licencave të eksportit të armëve të Mbretërisë së Bashkuar në Izrael dhe kritika ndaj Hotovelyt. Sekretari i Jashtëm, David Lammy, ka deklaruar se duhet “guxim” dhe “durim” në trajtimin e botës së sotme. Kjo është pikërisht ajo që mungon në të gjitha kryeqytetet perëndimore, ndërkohë që Libani është gati të zbulojë koston e kësaj.

    Po gjykatat? A do të ndalojë ligji ndërkombëtar më shumë shkatërrime të udhëhequra nga Netanyahu? Mos prisni asgjë. Çuditërisht, gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare Penale ende nuk e kanë lëshuar urdhrin e arrestit për Netanyahun për krime të dyshuara lufte në Gazë, që është kërkuar nga kryeprokurori në maj. Kjo vonesë e gjatë dhe e pashpjegueshme është e dyshimtë.

    Po OKB-ja? Ku ka më mirë se të tregojë autoritetin e saj të shkatërruar duke marrë përfundimisht masa për të zbatuar rezolutat e saj të shumta dhe të shpërfillura palestineze, përfshirë kërkesën e fundit që Izraeli të evakuojë territoret e pushtuara, ku abuzimet e kolonëve hebrenj janë të shfrenuara? Në mënyrë të pabesueshme, është planifikuar që Netanyahu të flasë në Asamblenë e Përgjithshme më vonë këtë javë.

    Në vend që t’i japë atij foltoren, OKB-ja duhet ta ndalojë Netanyahun nga ambientet e saj. Nëse ai paraqitet, shpërfilleni imunitetin diplomatik. Ai duhet të arrestohet nga policia e Nju-Jorkut [NYPD] dhe FBI-ja – dhe të deportohet ose, mundësisht, të akuzohet. Netanyahu është i rrezikshëm. Me të gjitha mjetet e disponueshme jo të dhunshme, ai duhet të ndalohet. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.