Ish-reperi, Feronit Shabani i njohur në publik si Fero, ka njoftuar të gjithë ndjekësit e tij se është në depresion të rëndë.
Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ai tha se është i thyer emocionalisht dhe ka një shqetësim të madh.
Tutje, ish-artisti që la muzikën për t’iu përkushtuar fesë, tha se po i bëhet padrejtësi nga Gjykata në Gjilan.
Gjithçka lidhet me ish-gruan e tij, Arbenita Ismajlin dhe vajzën e përbashkët, Nina.
Në një lidhje telefonike në emisionin “Compass”, Fero u shpreh se ish-bashkëshortja e tij e ka dërguar vajzën jashtë shtetit, madje siç tha ai, ia ka nxjerr edhe një pasaportë të falsifikuar në Maqedoninë e Veriut.
“Me të tregu drejtë pse unë kom ardh në këtë gjendje shkaku i shumë padrejtësive që më janë bërë dhe shkaku që nuk jam duke guxuar të flasë për shumë padrejtësi që më janë bërë, për arsye se nesër Prokuroria mundet me ma marrë inati mua edhe mundet me mi hup ndoshta edhe qeto pesë ditë në muaj që e kam me e pa vajzën”, tha Fero.
“Thirrja jeme është për Prokurorinë e Gjilanit, sidomos për prokuroren që e ka rastin. Unë s’po di ndryshe qysh me i tregu prokurores që unë jom në gjendje shumë të keqe, çka nëse mua më ndodh diçka nesër, çka nëse unë më nuk mund t’i kontrolloj ndjenja e mia”, u shpreh ish-reperi.