Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Enis Tamnik duke e dënuar me 6 muaj burgim me kusht për akuzën se në shkurt të këtij viti kishte shkaktuar aksident si pasojë e të cilit kishte pësuar lëndime H.B.
Shpallja e aktgjykimi është bërë nga gjykatësi i rastit, Gani Kastrati.
Mbrojtësi i Tamnik, avokati Gent Gjini e konfirmoj për “Betimi për Drejtësi” shpalljen e aktgjykimit, duke shtuar se rasti që ka ndodhur nuk ndërlidhet me ndonjë qëllim tjetër, por se ka ndodhur nga pakujdesia.
Gjithashtu, avokati Gjini tha se dënimi i shqiptuar prej 6 mua burgim me kusht është që brenda periudhës një vjeçare i akuzuari të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale.
Paraprakisht, i akuzuari Tamnik kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizrën më 1 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Enis Tamnik, të cilin e ngaronte se më 23 shkurt 2024, rreth orës 10:50 në Prizren, nga pakujdesia e duke mos iu përshtatur kushteve të lëvizjes dhe shpejtësisë së paraparë, si pasojë e vozitjes së pakujdesshme, derisa i dëmtuari H.B., derisa ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë, e godet me pjesën e përparme të automjetit, me këtë rast i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, ndrydhje të indeve të buta të kokës dhe regjionit ballor të kokës, gërvishtje lëkurore të ballit dhe shuplakës së dorës, plagë çarëse në kokë, të regjionit të laprës së veshit të majtë dhe thyerje pa zhvendosje të kockës së mollëzës së majtë të fytyrës, të përcaktuara sipas akt-ekspertizës mjeko-ligjore.
Andaj me këto veprime, Tamnik ngarkohej se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 8 lidhur me nenin 6 të Kodit Penal.