×
  • Opinione
  • Opinione

    Humbja kot e dy viteve të plota

    Blerim Shala
    17 Shtator 2024

    Shkruan: Blerim Shala

    Kthim prapa për të ecur para.

    Me një fjali fare të shkurtër mund të përmblidhet paraqitja mediatike të premtën në mbrëmje (13 shtator) e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, e cila (konferencë për shtyp) në paralajmërimet e saj ofronte ‘dridhje tektonike’ në sigurinë e kësaj ane të Evropës (duke e deklaruar Kosovën si territor të okupuar), teksa në fund mori trajtën e një ligjërimi të rregullt të liderit serb për raportet Serbi – Kosovë dhe Serbi – Perëndim.

    Vučić pra para gazetarëve shtroi një sërë kërkesash, të cilat synojnë ta kthejnë gjendjen në Veriun e Kosovës aty ku ka qenë me 5 nëntor të vitit 2022 (gati para dy viteve), kur me vendimin e tij (dhe të askujt tjetër), politikanët, policët, gjykatësit, prokurorët, nëpunësit serbë që ishin integruar në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, u larguan prej këtyre institucioneve.

    Nuk kishte gjë të rastësishme këtu.

    Në këtë mënyrë, Vučić bëri aktin e shkëputjes politike, juridike, policore të Veriut të Kosovës, pak kohë pasiqë Franca dhe Gjermania kishin lansuar nismën e tyre për t’i bindur Kosovën dhe Serbinë që të dakordohen për një Akord të përkohshëm, i cili do të luante rolin e një ’transportuesi’ drejt Marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

    Kjo ishte përgjigjja e mirëfilltë e liderit serb ndaj kësaj iniciative.

    Skenari i Vučićit parashihte tensionimin e skajshëm të raporteve në mes të popullatës serbe të Veriut dhe pushtetit të Kosovës, bojkotimin e këtij pushteti, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, për të arritur tek ai akti final i konfrontimit të armatosur me forcat policore kosovare.

    Kjo do të ndodhë me 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Pra, 5 nëntori i vitit 2022 ishte pikënisje për të mbërri tek 24 shtatori i vitit 2023.

    Sikur të sendërtohej Plani i Serbisë, vjeshta e vitit të kaluar, do ta gjente Veriun e Kosovës në fillet e para të ndarjes së pakthyeshme nga Kosova.

    Nuk do të kishte pra Banjskë, pa atë aktin e Presidentit të Serbisë që të ndodhë prishja e të gjitha lidhjeve të krijuara me mund, në mes të qytetarëve serbë dhe pushtetit të Kosovës, pas Marrëveshjes së Brukselit (2013), përmes të të cilave synohej integrimi i plotë i kësaj pjese të vendit.

    Vučić dhe pushteti i Serbisë dolën njënashëm nga Marrëveshja e Brukselit (e vitit 2013) në nëntorin e vitit 2022, teksa me këmbënguljen në këtë qëndrimin e tyre, ata, objektivisht, pamundësuan zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit.

    Përmbajtja e paraqitjes të Vučićit para mediave është një konfirmim shumë i vonuar i tij i dështimit të madh të kësaj politike që i ka lënë serbët e Veriut të Kosovës pa pushtet, pa polici, pa gjyqësi, dhe i ka shfrytëzuar ata për të krijuar rrethana për një konfontim të ri ushtarak në këto anë të Evropës.

    Vučić megjithatë, siç u pa në këtë konferencën për media të së premtës në mbrëmje, po sillet thuajse ai vet nuk ka kurrfarë përgjegjësie për këtë dështim të madh politik dhe të sigurisë të Beogradit, i cili bëri që gjendja në këtë pjesë të Kosovës të pësojë ndryshime të mëdha në dy vitet e fundit.

    Ai, për këtë shkak, tani dëshiron ta kthejë situatën në katër komunat veriore e cila ka qenë në fuqi deri me 5 nëntor të vitit 2022, por poashtu, synon t’i zhbëjë të gjitha zhvillimet në Veriun e Kosovës të cilat kanë ndodhur më pas, para se të gjithash në vijim të përgjigjeve legjitime të pushtetit të Kosovës ndaj vakumit politik dhe të sigurisë që u prodhua prej Vučićit.

    Diçka e tillë është e pamundur për shumë shkaqe, sepse rrjedhat politike nuk kthehen mbrapsht apo nuk zhbëhen, mësa që nuk mund të kthehet mbrapsht rrjedha e një lumi.

    Me gjasë, këtë e di edhe vet Presidenti i Serbisë. Por ai mendon që disi do të mund ta mjegullojë të vërtetën për dështimet e tij epokale në trajtimin e gjithë procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe të vërtetën për mashtrimet që ua ka bërë serbëve të Kosovës në përgjithësi.

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar për viktimat e sulmit të mbrëmshëm me veturë në një treg krishtlindjesh në Gjermani “Ngushëllimet e mia...
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbërritur në Magdeburg me ministren e tij të Brendshme Nancy Faeser, në vendin ku ndodhi mbrëmë sulmi...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Deputetja e LDK-së dhe ish-ministrja, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti sa i përket investimeve kapitale të realizuara në vitin 2024...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Në javën e 18-të të Albi Mall Superligës së Kosovës do të zhvillohen super ndeshje. Bëhet fjalë për ndeshjen mes Prishtinës dhe...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Deputeti Haki Abazi ka bërë me dije se nuk ka më votë për Albin Kurti. Abazi, i cili në këtë legjislaturë është...
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shkuar në Magdeburg të Gjermanisë, qytetin ku mbrëmë ndodhi një sulm në një prej tregjeve të Krishtlindjeve....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.