Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është pyetur të premten mbrëma në Beograd rreth qëndrimit të tij për Marrëveshjen e Ohrit dhe letrën e Ana Bërnabiq të dërguar në Bruksel, me të cilën shpreheshin rezerva rreth ujdisë së arritur në Maqedoninë e Veriut. Vuçiq është bërë se kinse nuk di se çfarë shkruan në letrën që e ka dërguar ish-Kryeministrja serbe, që tani është kryetare e Parlamentit. Vuçiq ka thënë se dy vërejtjet e tij për marrëveshjen lidhen me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe agjencitë e saj.
“Nuk kam lidhje se për çfarë letra bëhet fjalë, por do t’u them se çfarë di, as çfarë ka shkruar Ana Bërnabiq, as nëse ata kanë gjetur një zgjidhje tjetër apo jo. Secili vendim që dikush e merr duhet ta kuptojë një gjë, në Marrëveshjen e Ohrit dhe për marrëveshjen e Ohrit s’kemi problem dhe për këtë kam folur në Kuvend. Kemi problem vetëm me dy gjëra OKB’në dhe agjencitë pranë saj. kurrë këtë se kam fshehur, në secilën paraqitje time e kam thënë” ka thënë Vuçiq.
Tutje, ai ka shtuar se qëndron prapa marrëveshjes, pasi fjalët e Presidentit janë obligative.
“Edhe një herë juve gazetarëve ekspertë t’ua përsëris edhe një herë fjalët e Presidentit obligojnë, ato kane vlerën e njëjtë sikur dokumenti i shkruar. Ne jemi të përcaktuar edhe për Marrëveshjen e Ohrit, s’kemi asgjë kundër përveç kësaj që fola. Këtë e kam thënë natën e parë në Ohër, po ua përsëris edhe sonte” ka thënë ai.