Trajneri i futbollit kosovar Ramiz Krasniqi në emisionin ‘Dardanët’ në RTK, mendon se vendimi për përjashtimin e tre lojtarëve nga Kombëtarja është vendim i drejtë.
Aro Muriq, Florent Muslijas dhe Edon Zhegrovës janë përjashtuar nga Kombëtarja e Kosovës për shkak se kanë thyer rregullat e ekipit.
Sipas Krasniqit, kjo është e dhimbshme, por ai mendon se të gjithë lojtarët që veshin fanellën e Kosovës duhet ta respektojnë këtë fanellë.
“Është e dhimbshme por është e vërtetë. Është normale që Federata e Futbollit të Kosovës dhe njerëzit kompetente duhet të marrin masat ndaj tyre”, ka thënë Krasniqi.
“Këta djelmosha që luajnë për Kosovën duhet ta respektojnë këtë fanellë, shtetin e vet që e përfaqësojnë por jo në këtë mënyrë. Është e pakuptueshme të ndodh kjo. Mund t’i ndodh ndonjë lojtari pa përvojë, por një lojtari që luan në Evropë, këtë gjë është dashur ta dinë. Për mua është shumë i drejtë vendimi për ta. Ata që donë ta përfaqësojnë Kosovën dhe shtetin duhet ta kuptojnë që askush nuk është mbi kombëtaren”, ka theksuar Krasniqi.
Ai shpreson se Kosova sonte do të triumfojë ndaj Qipros.
Ndërkohë, edhe analisti i futbollit Malsor Gjonbalaj mendon se vendimi për përjashtimin e tre lojtarëve është i drejtë.
“Kjo është situate të cilën nuk kemi dashur ta shohim asnjeri dhe askush nuk ka dashur të ndodh kjo gjë. Duhet të kuptohet që fanellë e Kombëtares sonë duhet të respektohet. Ky veprim mendoj se që ka trondit audiencën futbolldashësve dhe gjithë qytetarëve. Ata futbollistë që thyejnë rregulla duhet të dënohen dhe të gjithë duhet ta respektojnë rregullat. Ikja dhe thyerja e rregullave mendoj se është diçka që duhet të ndëshkohet dhe vendimi është i drejtë”, ka pohuar Gjonbalaj.
Ai beson se ‘Dardanët’ do të mposhtin sonte Qipron, sfidë kjo që luhet në kuadër të xhiros së dytë në Ligën e Kombeve.
Ndeshja Qipro-Kosova fillon në orën 18:00.