×
  • Opinione
  • Opinione

    Kur vdiq nënë Tereza

    Plator Kalakula
    06 Shtator 2024

    Nga Plator Kalakula

    Pak ditë më parë kishte vdekur nënë Tereza. Nga kryeqyteti kishin ardhur udhëzime për të hapur një libër ngushëllimesh dhe herë pas here dëgjoja zilen e derës së jashtme dhe hapat e atyre që vinin për të paraqitur ngushëllimet. Pastaj dëgjova sirena të shumta policie që afroheshin si dhe zhurmën e frenimit të disa automjeteve në rrugën pranë hyrjes kryesore të Ambasadës shqiptare në Romë. Atëhere u kujtova që një ditë më parë kishte përfunduar dekreti i Kryeministrit vendas për pritjen e përkohshme të bashkatdhetarëve të ikur gjatë krizës së 97-ës dhe e kuptova që policia po përzinte të gjithë ata që kishte mundur të kapte pa dokumente.

    Në media po flitej me insistim se koha e pritjes së përkohshme do të zgjatej me 90 ditë të tjera. Me sa dukej, policia ishte ngutur të shfrytëzonte pikërisht atë hapësirë kohore deri në zgjatjen e përfolur të afatit. Poshtë gjeta një gjysëm dyzine me furgona policie të mbushur me bashkëatdhetarë të parkuar mbi trotuar. Një tufë me policë vendas, të veshur civilë apo me uniformë, qëndronin përeth bashkë me një numër shqiptarësh që prisnin mes vapës për të kryer hallet e tyre në zyrën konsullore të Ambasadës në Romë.

    Deri atëhere policia kishte sjellë herë pas here në sektorin konsullor të Ambasadës ndonjë bashkëkombës që dëbohej. Më kishin shpjeguar se meqë mes dy vendeve nuk kishte ende një marrëveshje ripranimi, ishte arritur një marrëveshje që të dëbuarit të pajiseshin me leje kalimi nga ana e Ambasadës. Po kjo ishte hera e parë që policia sillte në Ambasadë një numër të tillë njerëzish për ti dëbuar. Lëviza nga një furgon tek tjetri dhe njerëzit brenda me fytyrat e tyre të dëshpërura dukeshin si të zënë në cark. Natyrshëm ndjeja simpati për ta. Krizën e 97- ës e kisha përjetuar ditë pas dite si një tmerr që nuk i shihej fundi. Kisha ndjerë edhe unë dëshirën për të ikur, si ata, kur breshëritë e armëve gjëmonin ngado. Po kisha qëndruar dhe pak muaj më vonë isha emëruar me detyrë pikërisht aty ku kishin ikur ndërkohë 17 mijë bashkëatdhetarë.

    Kisha parë ndër vite shumë fytyra të dëshpëruara si të tyret. Më pak se një dekadë më parë, kur kisha qenë ende i internuar, kisha parë mjaft të tilla mes bashkëvuajtësve. Më pas, i kisha parë shpesh fytyrat e dëshpëruara të bashkëkombësave të bllokuar në kontrollet kufitare apo tek ktheheshin pas nëpër aeroporte. Më dukej një vuajtje e pambaruar dhe e pamerituar që pavarësisht eksperiencave personale apo profesionale që kisha kaluar nuk mund të më linte indiferent. Dhe kështu, gradualisht, ndërsa më shtohej keqardhja për ta, më shtohej njëkohësisht edhe një zëmërim instiktiv.

    -Cuni! O Cuni!- thirri papritur dhe në mënyrë të përsëritur një zë femre. U ktheva instiktivisht dhe pashë një tjetër fytyrë të dëshpëruar që më shikonte me insistim nga xhami i hapur i njërit prej furgonëve. Ishte një vajzë e re me faqet e vijosura nga lotët që kishin marrë me vete edhe një pjesë të rimelit të saj.
    -Me kanë marrë telefonin këta! –u ankua ajo me një të folur tipike jugore. Tefonat celularë ishin relativisht të shtrenjtë për kohën dhe për një cast e vrava mendjen se si një vajzë e re dhe pa dokumente si ajo të mund të kishte një të tillë. Pastaj u ktheva nga grumbulli i policëve dhe i pyeta nëse ja kishin marrë ata vajzës telefonin celular.
    -Pse do të japim hesap ty ?!- mu përgjigj në mënyrë harbute një polic me flokët e lyer me xhel dhe i veshur civil. Ndjeva vërshimin e gjakut ndër tëmtha po u përpoqa të isha i qetë.

    -Sigurisht që do më jepni!–thashë sfidues duke nxjerrë ndërkohë kartën diplomatike të identitetit si dhe shtova se isha numri dy i Ambasadës. Polici flokëzi e humbi për një cast pamjen e tij të sigurtë dhe fodulle.

    -Keni ndonjë shef ju këtu ?!- e pyeta ftohtë. Më sollën përpara një grua të re dhe brune, të veshur hijshëm dhe me flokët e prerë shkurt e cila u prezantua si Drejtoresha e Zyrës së të Huajve në Kuesturën e kryeqytetit. U prezantova dhe unë dhe në vijim e pyeta qetësisht nëse bashkëkombasit në furgonet e policisë ishin të arrestuar apo thjesht po dëboheshin me masë administrative.

    -Me masë administrative!–sqaroi Drejtoresha brune dhe flokëshkurtër. Atëhere i kërkova prerë që ti kthenin vajzës telefonin. Drejtoreshës ju skuqën lehtë faqet dhe ju kthye policëve të saj duke i urdhëruar që ti kthenin telefonin vajzës. Fare pa qef polici me flokët e zinj e të lyer me xhel nxorri nga xhepi një telefon celular dhe ja dha vajzës nëpërmjet dritares së furgonit. U ndjeva cuditërisht i kënaqur, sikur të kisha bërë kushedi se cfarë.
    – Cuni! O Cuni!- thirri përsëri me insistim dhe ton ankues vajza e celularit duke më bërë te kthehem sërish nga ajo.
    -Mi kanë hequr baterinë këta!- u ankua ajo përsëri me të folurën e saj karakteristike jugore. Ndjeva sërish një valë inati por edhe kësaj here e detyrova veten që të mbetesha i qetë.

    -Kthejini baterinë!- i thashë ashpër Drejtoreshës së Zyrës së të Huajve në Kuesturën e kryeqytetit. Akoma më e skuqur në fytyrë ajo urdhëroi përsëri policin kapadai me flokët e lyer me xhel. Mënyra përcmuese me të cilën ai ja ktheu baterinë vajzës më inatosi përfundimisht.

    -Ju nuk merrni asnjë leje kalimi sot!- I dëgjova thuajse me habi fjalët që sapo më kishin dalë nga goja dhe menjëherë e kuptova se inati më kishte cuar më larg se sa duhej. Por tashmë nuk kthehesha dot mbrapsht dhe duhej ti shkoja kësaj pune deri në fund. Drejtoresha u skuq edhe më tej dhe sytë e zinj i shkëlqyen me indinjatë.
    -Ky është një gjest politik!- tha ajo. Tashmë më ishte rikthyer plotësisht qetësia dhe po mendoja ethshëm mbi mënyrën se si do të procedoja këndej e pas.

    -Është thjeshtë një gjest teknik!- i thashë me qetësi duke shtuar se nuk mund ta zgjidhnim këtë punë duke biseduar në rrugë. Kështu, e ftova me mirësjellje të shtirur për ta biseduar cështjen në ambientet e Ambasadës.
    -Dua të takoj Ambasadorin! tha me kryenecësi Drejtoresha duke u futur në Ambasadë. Së bashkë me ne dhe dy kolegët e shërbimit konsullor po ngjiste shkallët dhe një oficer policie me flokë të thinjura dhe me pamje të përzemërt, të cilin nuk e kisha vënë re deri atëhere. Ndërkohë, vazhdoja të mendoja se si mund të dilej nga situata e krijuar. Dy muaj më parë, Ministria e Brendshme vendase kishte premtuar dërgimin e shpejtë në Tiranë të një sistemi komjuterik për identifikimin e personave po kjo ende nuk kishte ndodhur. Mbi këtë fakt vendosa ta ndërtoj strategjinë time. Ambasadori ishte ndërkohë në takim me një nga avokatët vendas të viktimave të kanalit të Otrantos, të marsit të atij viti, dhe e kisha të qartë që nuk do ta priste mirë këtë ndërprerje. Në fakt, ai u irritua menjeherë kur Drejtoresha e Zyrës së të Huajve filloi të protestonte për komunikimin tim për mosdhënien e lejeve të kalimit.
    -Ju po dëboni vetëm shqiptarë!- e ngriti ai zërin dhe vazhdoi duke u shprehur se Kuestura po mbante një qëndrim diskriminues ndaj bashkëkombasve. Cuditërisht, ky shpërthim pati një efekt qetësues mbi Drejtoreshën e Zyrës së të Huajve e cila reagoi ftohtë duke deklaruar se kjo ishte një akuzë politike dhe se për këtë do të informonte Ministrin e saj të Brendshëm. Ndërhyra duke i thënë se Ambasadori, në cilësinë e përfaqësuesit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të vendit, mund të arrinte para saj te Ministri i Brendshëm. Drejtoreshës ju skuqën përsëri faqet ndërkohë që vura re me habi një buzëqeshje kalimtare në fytyrën e oficerit të policisë me flokë të thinjura dhe me pamje të përzemërt.

    Tashmë e kisha plotësisht të qartë se cfarë linje dhe argumentesh do të përdorja. Kur munda të marr fjalën parashtrova argumentat që kisha përgatitur. Qetë dhe me mirësjellje shpjegova se në mungesë të sistemit komjuterik të premtuar nga Ministria e Brendshme vendase, të cilës i përkisnin si Drejtoresha ashtu dhe oficeri flokëthinjur, Ambasada e kishte të pamundur për ti identifikuar të dëbuarit. Si rrjedhojë, i shpjegova, nuk ishim në gjendje të lëshonim asnjë nga lejet e kalimit të kërkuara nga ata pasi nuk kishim asnjë siguri për identitetin e personave. Ndërsa flisja, fytyra e Drejtoreshës ngrysej gjithnjë e më tepër ndërkohë që oficeri i policisë miratonte shpesh me kokë ato që unë po thoja.

    -Pra, nuk do të na i jepni lejekalimet?!- më ndërpreu Drejtoresha me padurim.

    – Seriozisht e keni që po na kërkoni të bëjmë falsifikim të akteve zyrtare?!- e pyeta duke mos e fshehur dot një fije ironie. Kisha përdorur pikërisht terminologjinë juridike italiane për atë lloj shkelje penale dhe pashë sërish një buzëqeshje të lehtë kalimtare në fytyrën e oficerit të policisë. Drejtoresha u duk përfundimisht e dorëzuar.
    -Atëhere nuk kemi se cfarë të bisedojmë më!- tha ajo me mllef dhe u ngrit në mënyrë demonstrative nga tavolina. Arroganca e saj më kishte acaruar dhe ndërkohë që po i shoqëroja nëpër shkallë më erdhi ndërmënd një tundim që nuk munda ta prapësoj. Kështu, i armatosur me të gjithë mirësjelljen që munda ti imponoj vetes u ktheva nga ajo dhe e pyeta me pafajësi totalisht të shtirur nëse dëshëronte të paraqiste ngushëllimet e saj në librin e ngushëllimeve për nënë Terezëm, në sallën e pritjes së Ambasadës.

    Drejtoresha mi nguli ata sytë e saj të zinj ku lexohej vetëm urrejtje ndërkohë që faqet ju skuqën më shumë se kurrë. Për nja dy sekonda mendova se kësaj rradhe e kisha dreqosur përfundimisht por pastaj ajo më kërkoi prerë që ta coja tek libri i ngushëllimeve. Qëndrova në një distancë të respektueshme ndërsa Drejtoresha shkruante për disa minuta mendimet e saj në librin e ngushëllimeve të Ambasadës. Pastaj doli pa mi hedhur sytë dhe u drejtua te grumbulli i policëve të saj me të cilët filloi të bisedonte. Ndjeva pranë meje oficerin e policisë me flokë të thinjura dhe me pamje të përzemërt i cili më zgjati dorën me një buzëqeshje më tha se kisha zgjedhur argumentin e duhur.

    U ndjeva përfundimisht i lehtësuar. Ndërkohë lajmi për mosdhënien e lejeve të kalimit kishte mbërritur tek bashkëkombasit që filluan të brohorasin brenda furgonëve. Për një cast mendova se nuk kishin shumë arësye për tu gëzuar pasi Kuestura mund ti dëbonte edhe pa leje kalimi. Po gjithsesi nuk do të mund ti dëbonte atë ditë. Ndërkohë që furgonët filluan të lëviznin, ndesha vështrimin e policit kapadai, me flokët e lyer me xhel dhe pyeta veten se cfarë mund ti shkonte ndër mend në ato momente. Në vijim, mes zhurmës së motorrëve dhe zërave të njerëzve dëgjova sërisht zërin dhe të folurën karakteristike të vajzës nga jugu e cila më falenderonte me fytyrë dhe sy të qeshur nga dritarja e furgonit që po nisej. E përshëndeta me dorë duke rimenduar paralelisht, atë që sapo kishte ndodhur. Dhe pastaj i ftova të gjithë kolegët për të pirë së bashku dicka të ftohtë në barin e afërt.

    *Plator Kalakula ish diplomat në Romë në vitin 1997.

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.