×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Pak investitorë të huaj erdhën nëpërmjet procesit të privatizimit në Kosovë, veç 4 nga SHBA-të, 1 nga Franca, 6 nga Gjermania

    FrontOnline
    25 Gusht 2024

    Mbi 2380 ndërmarrje janë privatizuar deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), përkatësisht 769 ndërmarrje të reja dhe 1615 asete të likuidura, përderisa për pak prej tyre ka pasur interesim nga investitorët e huaj.

    Bazuar në statistikat e dërguara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për portalin Front Online, nga fillimi i procesit të privatizimit (2002) e deri më tani (2024), 2345 blerje janë realizuar nga shtetasit e Kosovës, përderisa veç 39 blerje janë realizuar nga shtetasit e huaj.

    Sipas këtyre statistikave, 10 privatizime janë realizuar nga shtetasit e Zvicrës, 6 privatizime nga shtetasit e Gjermanisë, 5 privatizime nga shtetasit e Shqipërisë, 4 privatizime nga shtetasit e Amerikës, nga 2 privatizime janë bërë nga shtetasit e Holandës, Austrisë,  dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga 1 privatizim është bërë nga shtetasit e Belgjikës, Dubait, Francës, Greqisë, Japonisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Turqisë.

    Për shitjen e të gjitha këtyre ndërmarrjeve shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka grumbulluar rreth 770 milionë euro, prej të cilave 668 milionë euro kanë privatizuar shtetasit e Kosovës dhe mbi 100 milionë euro kanë privatizuar shtetasit e huaj.

     

    Shteti shuma e shitjeve % nr. i shitjeve
    Amerika                   7,158,110 0.9%                      4
    Austria                   2,732,000 0.4%                      2
    Belgjika                   2,012,002 0.3%                      1
    Dubai                   1,400,000 0.2%                      1
    Franca                       630,000 0.1%                      1
    Gjermania                       446,344 0.1%                      6
    Greqia                 30,100,000 3.9%                      1
    Holanda                       174,250 0.0%                      2
    Japonia                       291,000 0.0%                      1
    Kosova              668,530,758 86.9%              2,345
    Kroacia                       810,000 0.1%                      1
    Maqedonia                 14,298,999 1.9%                      2
    Shqipëria                   6,320,255 0.8%                      5
    Sllovenia                   1,010,000 0.1%                      1
    Turqia                   1,400,000 0.2%                      1
    Zvicrra                 32,275,102 4.2%                    10
    GJITHSEJ € 769,588,820              2,384
    nga Kosova              668,530,758 87%              2,345
    nga shtetet tjera              101,058,062 13%                    39

    Burimi: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)

    Ish-ministri i Tregtisë: Investitorët e huaj janë joshur më shumë nga shtetet e rajonit

    Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Front Online se procesi i privatizimit në Kosovë ka pasur disa sfida që, siç thotë ai, kanë ndikuar në mos tërheqjen e investitorëve të huaj në masën e pritur.

    “Së pari, një nga faktorët kryesorë ka qenë mungesa e stabilitetit ligjor dhe politik gjatë periudhës së pasluftës, gjë që ka krijuar pasiguri për investitorët ndërkombëtarë. Për më tepër, problemi me pronësinë e qartë të aseteve dhe çështjet e komplikuara ligjore rreth tyre kanë penguar shumë investitorë të mundshëm. Po ashtu, mungesa e infrastrukturës së zhvilluar dhe tregut të kufizuar kanë qenë pengesa të tjera për investimet e huaja direkte”, shprehet Mulaj.

    Nga ana tjetër, sipas tij, fakti që vetëm një numër shumë i vogël i aseteve janë privatizuar nga investitorë nga Amerika, Franca dhe Gjermania tregon për një interes të ulët të këtyre vendeve, ndoshta, siç thotë ish-ministri i Tregtisë, për shkak të konkurrencës nga tregjet e tjera në rajon, ku mundësitë për investime janë më të favorshme dhe më të sigurta.

    Ai shprehet se procesi i privatizimit nuk ka qenë gjithmonë transparent dhe shpesh ka qenë subjekt i kritikave për mënyrën se si është menaxhuar, çka ka rritur mosbesimin e investitorëve potencialë. Gjithashtu, politikat e privatizimit, sipas tij, kanë qenë të fokusuara kryesisht në transformimin e pronës shoqërore dhe arritjen e çmimit më të lartë në shitje, duke lënë në plan të dytë planet investuese, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese.

    “Prandaj, për të përmirësuar situatën dhe për të tërhequr më shumë investime nga jashtë, Kosova duhet të fokusohet në përmirësimin e kornizës ligjore, rritjen e transparencës dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke u bërë kështu një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”, pohon Mulaj për Front Online.

    Mburrja e Kurtit me investimet e huaja

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më pare ka publikuar një raport të ri të ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times që tregon se Kosova renditet e dyta në Evropë dhe e pesta në botë për zhvillim ekonomik.

    Sipas këtij raporti, Kosova gjithashtu renditet e katërta në botë për përmirësim nga viti në vit për periudhën 2022-2023. Kurti e ka përdorur këtë raport për të theksuar përparësitë e Kosovës si një destinacion tërheqës për investitorët e huaj dhe për të nënvizuar progresin demokratik dhe ekonomik të vendit.

    Megjithatë statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk flasin për rritje kaq të madhe të investimeve të huaja direkte në Kosovë e as orientimin e tyre në sektorin e prodhimit.

    Sipas BQK-së, nga 214 milionë euro Investime të Huaja Direkte (IHD) për tre muajt e parë të këtij viti, 142 milionë euro kanë qenë të orientuara në sektorin e patundshmërive, apo rreth 66.1% të gjithsej IHD-ve, raporton Front Online.  Investimet në patundshmëri në Kosovë bëhen kryesisht nga diaspora.

    Megjithatë, ky raport ka shkaktuar një valë kritikash dhe është vlerësuar  si i  pasaktë dhe  i paqenë.

    Deputeti Ferat Shala nga radhët e PDK-së në një prononcim për Front Online  ka akuzuar Kryeministrin Kurti për mungesë të shifrave konkrete dhe për emra të investitorëve që do të dëshmonin zhvillimin e vërtetë ekonomik. Sipas Shalës, raporti është një pjesë e fushatës paraelektorale dhe përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë të suksesit, duke fshehur dështimet dhe mungesat reale në projektet e zhvillimit dhe investimeve kapitale. Ai ka theksuar se raportet dhe deklaratat e tilla janë të paqena dhe nuk reflektojnë situatën aktuale të ekonomisë kosovare.

    *Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Nga Rubrika
    Lajme15 Janar 2025
    Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, që pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit, sot...
    Lajme15 Janar 2025
    Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt që u vra më 29 nëntor të vitit 2023, është deklaruar para mediave pas konferencës së...
    Lajme15 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Artan Nimani, ka shënuar përvjetorin e 26-të të Masakrës së Reçakut, duke...
    Të tjera
    Lajme15 Janar 2025
    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë...
    Lajme15 Janar 2025
    Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, bashkë me partnerët e tij të koalicionit kanë bërë homazhe në Reçak, me...
    Lajme15 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Artan Nimani, ka shprehur shqetësim për “gjendjen shëndetësore dhe sjelljen e kryeministrit Albin...
    Kronika15 Janar 2025
    Një mijë e 962 tiketa trafiku janë shqiptuar brenda 24 orëve. Kështu ka bërë të ditur policia e Kosovës për raportit të...
    Kronika15 Janar 2025
    Policia e Kosovës të martën ka arrestuar një person në Podujevë për shkak se kishte ekspozuar në rrjete sociale një fotografi me...
    Kronika15 Janar 2025
    Një burrë është arrestuar në Mitrovicë pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi më 28 dhjetor të...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.