×
  • Opinione
  • Opinione

    Çfarë Marrëveshjesh kemi

    Blerim Shala
    02 Nëntor 2023

    SHKRUAN: BLERIM SHALA

    Tashmë e parë.

    Kaq shkurt dhe kaq thjeshtë do të mund të përshkruheshin zhvillimet e ditëve të fundit në temën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas disa ngjarjeve të javës së shkuar, mbi të gjitha, pas takimeve në Bruksel të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić me kryepolitikanët e shteteve të BE-së, dhe pas Deklaratës së përbashkët të Presidentit të Francës, Kryeministrit të Gjermanisë dhe Kryeministres së Italisë.

    U mendua, me të drejtë, që këto ngjarjet e të enjtes dhe të premtes së kaluar (të 26 dhe 27 tetorit), do t’i dhënë një drejtim të ri procesit të zbatimit të Marrëveshjes themelore dhe Aneksit të Ohrit, apo që do ta këndellin një ndërmarrje ndërkombëtare, e cila tash e sa muaj ishte në një gjendje të ngecjes së plotë.

    Por ja që kjo javë na ktheu aty ku kemi qenë më parë, thuajse asgjë nuk ka ndodhur para disa ditësh.

    Duket se ekziston një dallim susbtancial, në trekëndëshin Kosovë, Serbi, Bashkimi Evropian (dhe SHBA-të), se cili është në të vërtetë pozicioni fillestar (apo startues), në përpjekjen për t’i bërë realitet dy Marrëveshjet e kaluara, si dhe Propozimin më të ri të BE-së dhe SHBA-së për Statutin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

    Për BE-në, Kosova dhe Serbia, përmes instancave më të larta të personifikuara në Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vučić, kanë arritur Marrëveshjen themelore në Bruksel (me 27 shkurt), dhe atë për Aneksin e zbatimit të saj (me 18 mars, në Ohër).

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dy herë ka konstatuar verbalisht që Marrëveshjet janë bërë, dhe se ato janë ligjësisht obligative, përkundër faktit që asnjëra prej tyre nuk janë nënshkruar. Për më shumë, BE-ja, me të gjitha shtetet anëtare të saj, ka mbështetur formalisht qëndrimin e Borrellit, apo, të kryediplomatit të saj.

    Por, parimësia formale e BE-së, që prej 19 marsit e tutje, është rrëzuar për toke nga parimësia reale dhe substanciale e Presidentit të Serbisë. Ajo, madje, vetëm sa ka marrë forcë edhe pas takimeve të nivelit më të lartë të Bruksel të javës së kaluar. Ta zëmë, deri vonë, Vučić, ishte besnik ndaj qëndrimeve të tij që Serbia kurrë nuk do ta njeh as de jure as de facto pavarësinë e Kosovës, dhe që poashtu, Kosova kurrë nuk do ta merr pëlqimin e Beogradit për tu anëtarësuar në OKB. Por, javëve të fundit, e kjo gjë paradoksalisht koincidon edhe me zhvillimet e njohura në Banjskë (me 24 shtator), Vučić i ka shtuar këtyre qëndrimeve një tjetër pohim, sipas të të cilit del që Serbia nuk e njeh as integritetin territorial të Kosovës.

    Vučić e përsëriti këtë qëndrim të tij edhe në prani të Ursula von der Leyen, Presidentes së Komisionit Evropian, gjatë prezentimit të përbashkët për media.

    Presidenti i shoqëroi këtë pohim të tij kategorik kundër integritetit territorial të Kosovës, me thirrjen e tij për paqe dhe stabilitet në këto anë të Evropës, për të cilat Serbia e tij është jetikisht e interesuar.

    Vučić, natyrisht, nuk i tregoi kujt se si mund të bashkëjetojnë paqja dhe stabiliteti në këtë pjesë të Ballkanit, kur Serbia nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës.

    Te tri këto qëndrime të liderit të Serbisë, katërcipërisht bien ndesh me thelbin e Marrëveshjes themelore të Brukselit.

    Deri tash (së paku), ai dhe Beogradi zyrtar nuk janë ndëshkuar prej kujt për këtë pozicion konfrontues ndaj Marrëveshjes themelore.

    Më në fund, mbi të gjitha për shkak të kësaj përvoje shumë domethënëse të mënyrës se si e ka trajtuar Presidenti i Serbisë këtë Marrëveshje, por edhe të gjitha detyrimet që dalin prej saj, edhe përmes Aneksit të Ohrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po insiston që të hedhen firmat e tij dhe të Vučićit në tri këto Dokumente/ Marrëveshje, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen rrethana më të volitshme për jetësimin e tyre.

    Sadoqë me një politikan çfarë është Vučić dhe me një pushtet të sotëm të Serbisë, as nënshkrimet nuk mund të garantojnë shumëçka, së paku në këtë rast, do të ishte e pamundur t’i iket konstatimit, siç po bën vazhdimisht Presidenti i Serbisë, që ka Marrëveshje të mirëfillta në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe që për këtë shkak, ato, në tërësinë e tyre, duhet të zbatohen.

    Nga Rubrika
    Opinione14 Korrik 2025
    Akademik Arsim Bajrami: Gjykata Speciale ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, duke cënuar proceset e...
    Opinione11 Korrik 2025
    Shkruan: Adri Nurellari Në pranverën e vitit 1831, një aristokrat i ri francez, vetëm 25 vjeç, Alexis de Tocqueville, hipën në një...
    Opinione10 Korrik 2025
    Burimi: The Guardian, Alexander Hurst. Tre vjet më parë, në Cyrih, për herë të parë kalova një urë mbi lumin Limat dhe...
    Të tjera
    Lajme14 Korrik 2025
    Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka hedhur si të palejuar ankesën e një operatori ekonomik sa i përket projektit A3. OSHP ia...
    Lajme14 Korrik 2025
    Sot është mbajtur seanca e radhës për rastin e Liridona Ademajt, ku vëllai i saj, Leonardi rrëfeu dëshminë e tij. Në këtë...
    Lajme14 Korrik 2025
    Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës i ka rrëzuar shumicën e argumenteve të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare...
    Lajme14 Korrik 2025
    Për shkak të mungesës së të akuzuarit Burim Mazreku, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë...
    Sport14 Korrik 2025
    Granit Xhaka duket se po bëhet me klub të ri. Gazetari sportiv gjerman Florian Plettenberg e ka hedhur bombën. Sipas tij, futbollisti...
    Lifestyle14 Korrik 2025
    Kosi është një opsion i preferuar dhe i shëndetshëm për mëngjes ose meze të lehtë, është i pasur me probiotikë, kalcium, zink...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.