×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Telekomi i Kosovës merr me qira vjetore rreth 190 mijë € zyrat nga dosti i zv/ ministrit Durmishi

    Fatlum Berisha
    10 Korrik 2023

    Biznesmeni Bujar Shabani ia ka parë hairin ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, subjektit të cilit i takon dosti i tij, Hysen Durmishi.

    Ai do të arkëtojë rreth 190 mijë euro në vit nga Telekomi i Kosovës – meqë i lëshoi kësaj ndërmarrjeje që menaxhohet nga Qeveria (LVV) – një objekt të tijin me qira, raporton “Front Online”.

    Prona e tij dy katëshe në sheshin “Zahir Pajaziti” u përzgjodh para disa jave si më e mira e mundshme për nevojat e kompanisë së telekomunikacionit, ani se zyrtarët e Telekomit pranuan edhe katër oferta tjera për lokacione.

    Lokali i Bujar Shabanit, që ia lëshoi me qira Telekomit

    Pronësinë e lokalit e kuptoi fillimisht përmes burimeve Front Online. Informata u konfirmua pastaj edhe nga Zyra për Medie e Telekomit.

    “Pronar i objektit është kompania NPSH Bageri”, thanë shkurt nga Telekomi për “Front Online”.

    Bageri është në pronësi të biznesmenit Bujar Shabani.

    Front Online kishte raportuar dy javë më parë se ishte vetë numri dy i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ai që ia dhuroi një kontratë 8.6 milionë euro këtij biznesi, pronë e shokut të tij.

    Ndikimin në epilogun e tenderit, që parasheh asfaltimin e një loti në rrugën Prishtinë – Besi – Podujevë, e pati mohuar Durmishi.

    Kompania Bageri merr vazhdimisht tenderë milionësh nga shteti.

    “Nuk dha tender unë”, Hysen Durmishi ia dhuron me dorë të vetën kontratën 8.6 milionë € dostit të tij

    Pse u përzgjodh prona e dostit të Hysen Durimishit nga Telekomi?

    Sikur mos të mjaftonin të hollat e majme nga tenderët, kuleta e Bujar Shabanit do të trashet muaj për muaj si rezultat i qirasë që do t’ia paguajë Telekomi.

    “Qiraja për këtë objekt është 15,560.66€/muaj (në këtë shumë përfshihet TVSH 18% dhe tatimi në qira 9%)”, u shprehen nga Telekomi për “Front Online”.

    Bujar Shabani ia doli të rrëmbejë paratë e qirasë se Telekomit, ani se përballej edhe me katër garues të tjerë që ofronin shërbim të ngjashëm.

    Anëtarët e bordit të Telekomit kanë afërsi me Vetëvendosjen, partinë që i solli në këto pozita drejtuese të ndërmarrjes.

    “Telekomi i Kosovës ka marrë disa oferta (gjithsej 5) për lokacione të ndryshme dhe objekti në fjalë është vlerësuar nga komisioni  i ngritur për këtë rast si më i përshtatshmi, për shkak të pozitës strategjike të objektit dhe çmimit të favorshëm (konkurues)”, vlerësuan nga Telekomi për “Front Online”.

    Reagim i lodhtë i Telekomit, nuk e mohon që dosti i zv/ ministrit Durmishi i merr 190 mijë € qira vjetore

    AGK-ja dënon gjuhën e drejtorit të Financave të Telekomit ndaj gazetarëve të Front Online

     

     Bujar Shabani vs. LIGJI

    Pronari i kompanisë Bageri, Bujar Shabani ka telashe me ligjin.

    Mbi të rëndon akuza për “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” në një tender rreth 4 milionë eurosh për zgjerimin e rrugës së fshatit Bibaj dhe kyçjen e saj në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës, raporton Betimi për Drejtësi.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e të lartcekurve kishte përdorur diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencat si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i suksesshëm duke përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.

    I pandehuri është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës.

    Ndërkaq sipas organizatës AVONET, kompania Bageri edhe në një aktivitet tjetër prokurimi ka aplikuar me dokumente të falsifikuara.

    Bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, e cila kap vlerën e 734 mijë eurove.

    Pse i ndërroi Telekomi zyret?

    Telekomi vendosi t`i ndërroi objektet me qira këtë vit për t`i braktisur siç ishte thënë qiratë e shtrenjta që paguante deri tash.

    Telekomi i Kosovës është liruar nga qiraja e mujore që për 17 vjet me radhë ka paguar në një objekt në rrugën e UÇK-së te “Qafa”, në Prishtinë, duke u zhvendosur pak metra tutje po në këtë lagje, veçse në një hapësirë më të vogël e më pak të kushtueshme.

    Ngjashëm veproi edhe me ndërtesën që e shfrytëzoi për disa vite radhazi në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të kaluar tek objekti i ri i Bujar Shabanit, dostit të zv/ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, që po ashtu ndodhet në këtë zonë. Mbase as 100 metër distancë.

    Nuk dihet se sa para në muaj do të kursejë Telekomi me këto dy ndryshime.

    /Front Online

     

    Nga Rubrika
    Hulumtime15 Korrik 2025
    Mbi 195 milionë euro qarkullim dhe rreth 10 milionë euro fitim të pastër ka siguruar gjatë vitit 2024 kompania me vetëm 2...
    Hulumtime14 Korrik 2025
    As më pak e as më shumë se 153 kontrata publike në një vlerë që tejkalon 75 milionë euro, ka përfituar gjatë...
    Hulumtime23 Qershor 2025
    Mbi 16 milionë euro kanë shpenzuar institucionet qendrore dhe lokale për blerje të veturave të reja dhe marrje me qira të veturave...
    Të tjera
    Lajme16 Korrik 2025
    Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, KQZ njofton se regjistrimi i...
    Lajme16 Korrik 2025
    Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth bastisjes në objektin ku ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore...
    Lajme16 Korrik 2025
    Njësija speciale e Policisë së Kosovës ka zbarkuar sot në oborrin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Forca të shtuara po ruajnë hyrjen...
    Lajme16 Korrik 2025
    Një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në fshatin Fushë-Milot, pasi u përfshi nga flakët teksa ishte duke...
    Lajme16 Korrik 2025
    Dje në polici është raportuar për një vjedhje të rëndë në Prishtinë. Ankuesi mashkull kosovar ka denoncuar rastin tek autoritetet e sigurisë...
    Lajme16 Korrik 2025
    Një grua është zhdukur mesditën e së martës në qytetin e Rahovecit. Sipas policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Sulejman Kollari” të...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.