×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Balotazhi presidencial në Mal të Zi, pritet garë e ngushtë

    FrontOnline
    01 Prill 2023

    Në Mal të Zi nesër mbahet balotazhi i zgjedhjeve presidenciale, në të cilat presidenti në detyrë, Milo Gjukanoviq përballet me një sfidë të fortë nga ekonomisti, Jakov Milatoviq.

    Asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve.

    Analistët thonë se edhe rezultati i balotazhit pritet të jetë i ngushtë.

    Milo Gjukanoviq, 61-vjeçar, ka dominuar Malin e Zi si president apo kryeministër për 33 vjet, që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

    Kundërshtarët e kanë akuzuar atë dhe partinë e tij për kapje të republikës së vogël ballkanike, akuza që ata i mohojnë.

    Rivali i tij në balotazhin që do të mbahet nesër është 37-vjeçari Jakov Milatoviq, ish-ministër i ekonomisë dhe nënkryetar i lëvizjes Evropa Tani, e cila dëshiron lidhje më të ngushta si me Bashkimin Evropian ashtu edhe me Serbinë.

    Gjukanoviq do të varet nga mbështetja tradicionale e pakicave, malazezëve që jetojnë jashtë vendit, partive pro-perëndimore dhe atyre që abstenuan në raundin e pare të zgjedhjeve.

    Gjatë fushatës Presidenti në detyrë i Malit të Zi bëri thirrje për vazhdimësi.

    “Ne duam të vazhdojmë të jemi një shtet multietnik, multifetar, multikulturor, që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së”, tha ai.

    Kundërshtarët e akuzojnë Gjukanoviqin dhe partinë e tij Demokratike të Socialistëve të qendrës së majtë për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar në vendin me rreth 620 mijë banorë. Ndërkaq, Gjukanoviq dhe partia e tij i kanë mohuar këto akuza.

    Jakov Milatoviq, i cili ishte ministër i ekonomisë në qeverinë që mori pushtetin pas protestave fetare pro-serbe në vitin 2020, bashkëthemeloi lëvizjen Evropa Tani në vitin 2022, duke u zotuar të frenojë korrupsionin, të sigurojë standarde më të mira jetese dhe të forcojë marrëdhëniet me Serbinë.

    “Unë jam këtu për të udhëhequr Malin e Zi drejt suksesit, sepse për një kohë të gjatë ne jemi udhëhequr nga të pasuksesshmit”, tha zoti Milatoviq në një tubim fushate.

    Banorët e Malit të Zi shpresojnë që zgjedhjet do të ndihmojnë në tejkalimin e ngërçit gati njëvjeçar politik në vend.

    “Shpresoj që qytetarët do të vendosin se na duhet një rrugë evropiane, sepse situata është vërtet e pasigurt dhe kemi perspektiva kontradiktore. Kjo është gjithçka që mund të them”, thotë Dragana Rijavsek.

    “Ne jemi në një pikë kthese vendimtare tani, dhe ndërsa besoj se fillimisht gjërat do të përkeqësohen, pas kësaj besoj se do të shfaqen forca të caktuara që përfundimisht do ta shtyjnë Malin e Zi në drejtim të përmirësimit, që tani nuk mund ta shoh nga asnjëra palë”, ka thënë Dushan Pejoviq.

    Gjukanoviq mori 35.37 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 mars, ndërsa Milatoviq 28.92 për qind, duke e dërguar vendin në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 50 për qind të votave.

    Analistët thonë se rezultati i balotazhit pritet të jetë i ngushtë./VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni11 Korrik 2025
    Presidenti amerikan Donald Trump sapo ka përditësuar bilancin tragjik në Teksas, duke thënë se kanë humbur jetën 135 persona. Kjo është rreth...
    Bota/Rajoni11 Korrik 2025
    Popullsia e Bashkimit Evropian ka arritur në një rekord prej 450.4 milionë banorësh në vitin 2024, të nxitur kryesisht nga migracioni, sipas...
    Bota/Rajoni11 Korrik 2025
    Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, në 30-vjetorin e masakrës që tronditi Ballkanin...
    Të tjera
    Lajme11 Korrik 2025
    Në një ceremoni solemne të mbajtur të premten, është diplomuar gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës. Plot 279 kadetë kanë përmbyllur...
    Lajme11 Korrik 2025
    Aktori dhe skenaristi Naser Rafuna ka reaguar publikisht ndaj Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), duke e akuzuar për padrejtësi dhe mungesë transparence...
    Lajme11 Korrik 2025
    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, është nisur drejt Dubrovnikut për të marrë pjesë në...
    Bota/Rajoni11 Korrik 2025
    Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, në 30-vjetorin e masakrës që tronditi Ballkanin...
    Bota/Rajoni11 Korrik 2025
    Kreu i Qeverisë në Shqipëri, Edi Rama, mbajti në takim sot me kryetarët e bashkive në vend. Gjatë fjalës së tij, ai...
    Lajme11 Korrik 2025
    Leutrim Syla, avokati i familjes Ademaj tha se Naim Murseli e ka pasur një aferë dashurie, dhe tashmë e ndjera Liridona Ahmetajn...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.