Në Maqedoninë e Veriut, të martën janë regjistruar 80 persona të infektuar me koronavirus dhe 3 viktima, shifër shumë më e ulët në krahasim me ditët e fundit. Të dhënat i referohen testimit të 680 mostrave në 24 orët e fundit.Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë nga Shkupi, Struga dhe Strumica, me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 800, shumica prej të cilëve nga Shkupi.
Kryeqendra maqedonase ka edhe numrin më të madh të të infektuarve në 24 orët e fundit, gjithsej 54 raste. Raste aktive në nivel të vendit janë 3.996 persona.Numri i të shëruarve gjithashtu ka shënuar rritje me 97 persona duke e çuar në 16.397 numrin e përgjithshëm të atyre që e kanë fituar betejën me COVID-19.
Deri më tani me koronavirus janë diagnostikuar 21.193 persona nga rreth 210 mijë teste të kryera.Ndërkohë, në kuadër të masave për mbrojtje nga pandemia Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për mbajtjen e maskave në hapësirat publike, përveç në rastet e aktiviteteve fizike në natyrë dhe në makinë kur udhëtojnë persona të të njëjtës familje.
Maskat do të jenë të obligueshme edhe në hapësira publike, transport publik dhe institucione publike ndërsa pas orës 22.00 nuk do të lejohen grumbullime të më shumë se katër personave.Qeveria ka kërkuar respektimin e masave si mundësi e vetme për mbrojtje nga COVID-19 dhe mosngarkimin e sistemit shëndetësor.