Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit në zgjedhjet e fundit parlamentare i ka thyer të gjitha rekordet e mbështetjes politike, duke i marrë mbi 50 për qind të votave, si asnjëherë në ndonjë palë zgjedhje në Kosovë.
Por banori i Big Brother Albania, shkodrani Luiz Ejlli, duket se i ka thyer të gjitha rekordet e mbështetjes popullore. Sikur për asgjë tjetër, kosovarët janë unik se kë mbështesin si më të pëlqyerin e tyre në spektaklin BBVA.
Në një sondazh me 1605 respondentë, UBO Consulting bëri matjen e opinionit publik, ku një nga pyetjet pati për protagonist banorin që spikati më shumë në Big Brother VIP Albania, Luizin.
Në pyetjen se ‘cili është banori juaj i preferuar në Big Brother VIP Albania?’, një pjesë masive e respondentëve që shohin spektaklin BBVIP, zgjodhën Luizin.
Përkatësisht 90.5% e të anketuarve në Kosovë, thanë se Luizi është banori i tyre i preferuar, një përqindje kjo që mund të krahasohet me pëlqimin që qytetarët kanë ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti.