Philadelphia 76ers fituan edhe përballjen e dytë të play off-it ndaj Washington Wizards me rezultatin 120-95, duke hedhur një hap gjigant drejt kualifikimit. Në “Wells Fargo Center” të zotët e shtëpisë e dominuan nga fillimi deri në fund takimin, me Ben Simmons dhe Joel Embiid që realizuan nga 22 pikë për kokë, ndërsa Tobias Harris shtoi edhe 19 pikë të tjera. Skuadrës kryeqytetase nuk i mjaftuan 33 pikët e Bradley Beal, që e mbylli përballjen me më shumë se 1/3 e pikëve të ekipit të tij.
Pasi humbën përballjen e parë me një kosh të realizuar nga Trae Young në momentin e rënies së sirenës, New York Knicks morën revanshin 101-92 përballë Atlanta Hawks, duke e barazuar serinë në 1-1. Skuadra nga Giorgia e nisi më mirë lojën falë Bogdan Bogdanovicit dhe Trae Young, por pas pjesës së parë trajneri i Knicks, Thibodeau, vendosi t’i jepte më shumë hapësirë “yllit” të formacionit të tij, Derrick Rose, dhe kjo lëvizje ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Rose shënoi 26 pikë dhe u tregua shumë efikas në lojën mbrojtëse dhe këtë e vërteton fakti që në dy perdiodat e fundit Hawks realizuan vetëm 35 pikë. Një arritje e madhe, në fakt, për Nicks, që nuk fitonin një ndeshje në play off që nga viti 2013.
Në takimin e fundit të mbrëmjes, Utah Jazz iu imponuan Memphis Grizzlies me rezultatin 129-141. Nuk i shërbyen për asgjë skuadrës nga Tennessee 47 pikët e Ja Morant. Në radhët e Jazz më të mirët rezultuan Donovan Mitchell, autor i 25 pikëve, dhe Rudy Gobert, që spikati përveçse me 21 pikë edhe me 13 “rebound”. E mbylli sfidën me “double double” edhe Mike Conley, autor i 20 pikëve dhe 15 asisteve. Falë këtij suksesi të Jazz seria barazohet në 1-1.